Familja e Liridona Murselit ka njoftuar në pasditen e së dielës se i është miratuar kërkesa për zhvarrim të trupit të së ndjerës prej ku është varrosur më 1 dhjetor, dhe të rivarroset në varrezat e fshatit Rracaj në Gjakovë.
Procedurat do të nisin më 4 dhjetor.
Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.
Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, G.P është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Zemërim të madh ka shkaktur edhe fakti që burri i saj ka qenë pjesë e ceremonisë së varimit.
Kryeministri i Kosovës ka thënë personat e përfshirë në vrasjen e Liridonës duhet ta marrin dënimin maksimal.
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë… Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.
Një ditë më parë, vrasjen e kanë dënuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Familja e Liridonës ka thënë se beson se autoritetet do ta vendosin drejtësinë në vend për këtë rast.
Ajo i ka lënë mbrapa dy fëmijë.