Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 22 gusht se Kina paraqet një sfidë për “themelet e mënyrës se si jetojmë së bashku në këtë botë” dhe shtoi se Gjermania do të punonte me vendet si Australia për t’u ulur tensionet në rajonin Indo-Paqësor.
Në një adresim për një institut australian të politikës së jashtme, Baerbock tha se përvoja e Australisë me kufizimet tregtare të vendosura nga Kina ka ndikuar që Gjermania t’i ndërrojë politikat ndaj Pekinit.
“Kina ka ndryshuar dhe kjo është arsyeja pse politika jonë ndaj Kinës gjithashtu duhet të ndryshojë”, i tha ajo institutit Lowy.
Përderisa tha se Kina është vend partnere në çështjet si për ndryshime klimatike dhe tregti, ajo ishte “një rivale kur bëhet fjalë për themelet e mënyrës se si ne jetojmë së bashku në këtë botë”, tha ajo.
“Ajo që ne shohim është shfaqja e një bote ku po rritet rivaliteti sistematik, ku disa regjime autokratike kërkojnë ta ndryshojnë rendin ndërkombëtar për t’i rritur sferat e tyre të ndikimit, duke përdorur jo vetëm fuqinë ushtarake, por edhe ndikimin ekonomik”, shtoi Baerbock.
Ajo tha se shumë vende po i afrohesn Kinës sepse atyre u mungojnë alternativat dhe shtoi se Gjermania dëshiron ta ndryshojë këtë gjë.
Sipas saj, Gjermania nuk do ta bëjë këtë duke promovuar konfrontim të ri midis blloqeve, por duke diversifikuar partnerët e saj tregtarë.
“Ne mësuam se sa të cenueshëm na bëri varësia jonë e njëanshme nga importet ruse të energjisë. Ne nuk duam ta përsërisim atë gabim”, tha ajo.
Duke theksuar rëndësinë ekonomike të rajonit Indo-Paqësor për Evropën, Baerbock tha se gjysma e të gjitha anijeve me kontejnerë kalojnë nëpër ngushticën e Tajvanit.
“Çdo ndryshim i njëanshëm në status quo-në përgjatë ngushticës së Tajvanit do të ishte i papranueshëm, aq më tepër nëse kjo do të përfshinte mjete shtrënguese ose ushtarake”, shtoi ajo.
Gjermania mori pjesë në stërvitjet ushtarake 13-vendëshe Talisman Saber në Australi muajin e kaluar dhe hapi ambasadën e saj të parë në Ishujt e Paqësorit në Fixhi më 19 gusht.