Ndërlidhjet

MPJD njofton se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës është liruar


Zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.
Zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar nga autoritetet serbe dhe ndodhet rrugës për t’u kthyer në Kosovë, njoftoi të enjten vonë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

Jankoviq ishte ndaluar më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës - që lidh Kosovën me Serbinë dhe akuzohej për prishje të rendit kushtetues të Serbisë, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës në Facebook.

Ministria kosovare tha se do të dalë më hollësi të tjera rreth këtij rasti më vonë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha pas lirimit të Jankoviqit të enjten vonë se ai "ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë".

Ndalimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është bërë “me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe kontrolleve të nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”.

Sipas autoriteteve kosovare, Jankoviq ishte në mesin e 10 zyrtarëve kosovarë që u ndaluan nga autoritetet serbe më 17 prill. Të gjithë prej tyre janë liruar tashmë.

Lirimi i tij vjen pak orë pasi Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë që pret lirimin e menjëhershëm të Jankoviqit.

Kush është Dejan Jankoviq?

Dejan Jankoviq
Dejan Jankoviq

I shpërblyer me Medalje të Trimërisë nga Shërbimi Policor i Kosovës në vitin 2006, si dhe Medaljen Semper Fidelis në vitin 2012 nga drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Dejan Jankoviq, nga Shtërpca, filloi karrierën e tij në zbatimin e ligjit në vitin 2000, sipas biografisë së tij zyrtare. Ai ka punuar në stacionin policor në Shtërpcë në disa njësi dhe pozita.

Në fillim të vitit 2003 ai u bë kapiten dhe komandant stacioni me detyrën për të përgatitur stacionin për tranzicionin nga UNMIK-u te Shërbimi Policor të Kosovës.

Jankoviq shërbeu në pozitat si zëvendëskomandant i stacionit të Gjilanit e pastaj shef i Njësisë Rajonale të Trafikut në këtë qytet.

Në 2005 mori postin e komandantit rajonal në Gjilan. Sipas biografisë zyrtare, në këtë pozitë nuk ka qëndruar gjatë sepse “i mbijetoi një sulmi me armë teksa po kthehej nga puna, ndërsa lëndimet e marra nuk ishin të rrezikshme për jetën”.

Pas shërimit, më 2006 Jankoviq u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të sapokrijuar, ku qëndroi deri në janarin e vitit 2008.

Më 2009 u emërua në pozitën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Resurse të Policisë së Kosovës.

Sipas biografisë, Jankoviq diplomoi në nivelin bachelor për Menaxhim Biznesi në Universitetin "Union", dhe më vonë edhe në studimet master. Më 2004, u diplomua në Kolegjin për Studime Ndërkombëtare të Sigurisë “Liderët e Shekullit 21”, në George C. Marshall, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë, në Gjermani. Po ashtu në të njëjtën qendër më 2007 u diplomua në Programin e Lartë Ekzekutiv.

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.

Më herët gjatë ditës thirrje për lirimin e Dejan Jankoviqit kishin bërë edhe Jeffery Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, dhe Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Prishtinë.

Më 17 prill, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.

Qeveria e Kosovës këto veprime i cilësoi si hakmarrje e Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi, dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë "nuk është kufizuar".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG