Ndërlidhjet

Ministri izraelit: S’ka ushqim, ujë dhe rrymë për Gazën derisa të lirohen pengjet


Shtëpi dhe ndërtesa të rrënuara nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, 10 tetor 2023.
Shtëpi dhe ndërtesa të rrënuara nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, 10 tetor 2023.

Ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, ka thënë të enjten se rrethimi i Rripit të Gazës nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite.

“Furnizimi me rrymë nuk do të bëhet, uji nuk do të lëshohet e asnjë kamion me karburante nuk do të futet” në Gaza derisa të lirohen pengjet, tha Katz në rrjetet sociale.

Izraeli e nisi rrethimin e Rripit të Gazës të hënën, dy ditë pasi militantët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.

Së paku 150 pengje u dërguan në Gaza gjatë sulmit të Hamasit në fundjavë, ku mbetën të vrarë mbi 1.200 izraelitë.

Të mërkurën, termocentrali i vetëm në Gaza mbeti pa karburant, që do të thotë se enklava me rreth 2.3 milionë banorë tani varet plotësisht nga gjeneratorët për furnizim me rrymë.

Ushtria izraelite është duke e bombarduar Gazën që nga dita e hënë, duke bërë që rreth 1.200 palestinezë të vriten gjatë kësaj periudhe.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje të mërkurën Izraelit t’u përmbahet rregullave të luftës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për ta shkatërruar Hamasin.

Biden tha se bisedoi të mërkurën me Netanyahun, për të cilin tha se e njeh për më shumë se 40 vjet dhe se me të ka “marrëdhënie shumë të sinqerta. E njoh shumë mirë atë”.

“Një gjë që ia thashë është se për Izraelin është shumë e rëndësishme, pavarësisht zemërimit dhe tërbimit që ekziston, të veprojë sipas rregullave të luftës”, tha Biden.

“Dhe, rregulla të luftës ka”, shtoi ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG