Ndërlidhjet

Ministri i Jashtëm izraelit: Guterres i paaftë për të qenë shef i OKB-së


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha të martën se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, nuk është i aftë për ta udhëhequr organizatën botërore, duke shtuar se ai nuk ka bërë mjaftueshëm për ta dënuar grupin radikal palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Komentet e tij, në një konferencë për media brenda ndërtesës së OKB-së në Gjenevë, tregojnë për një rritje të kritikave ndaj OKB-së nga Izraeli, në javën e njëjtë kur kjo e fundit e vajtoi vrasjen e më shumë se 100 pjesëtarëve të stafit të vet në Rripin e Gazës.

“Guterres nuk e meriton të jetë shef i Kombeve të Bashkuara”, tha Cohen.

Cohen ndodhet në Gjenevë për takime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe familjet e pengjeve izraelite.

“Mendoj se Guterres, sikurse të gjitha kombet e lira duhet të thotë qartazi dhe me zë të lartë: Lirojeni Gazën nga Hamasi. Të gjithë thanë se Hamasi është më i keq se ISIS-i. Pse nuk mund ta thotë ai?” theksoi ai.

Guterres tha kohë më parë se “diçka nuk shkon” me operacionin ushtarak të Izraelit, gjatë të cilit janë vrarë më shumë se 11.000 palestinezë deri tani.

Bombardimet izraelite në Gazë vijnë pasi luftëtarët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer 240 pengje, sipas zyrtarëve izraelitë.

Ndërkohë, Cohen tha se pret më shumë nga Kryqi i Kuq për të arritur tek pengjet.

“Mendoj se minimumi që Kryqi i Kuq mund të bëjë është t’i takojë pengjet; të gjejë dëshmi se janë gjallë dhe të dërgojë ilaçe për pengjet në nevojë”, tha ai.

Ditën e njëjtë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i angazhuar në bisedime ditore për ta siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

“Mbahuni, ne po vijmë”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nga gazetarët se cili është mesazhi i tij për anëtarët e familjeve të pengjeve.

Biden theksoi se bisedon çdo ditë me palët e përfshira në bisedime për lirimin e mundshëm të pengjeve, por nuk deshi të japë hollësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG