Ndërlidhjet

Ministri Aliu thotë se rruga Prishtinë-Mitrovicë përfundon “brenda një viti”


Magjistralja Prishtinë-Mitrovicë. 20 nëntor 2022.
Magjistralja Prishtinë-Mitrovicë. 20 nëntor 2022.

Një segment prej afro 10 kilometrave për zgjerimin e rrugës magjistrale rreth 40 kilometra të gjatë, e cila e lidh kryeqytetin Prishtinë me qytetin e Mitrovicës, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2025, tha të enjten ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu.

Aliu tha në një konferencë për media se Ministria e tij ka nënshkruar kontratë me një kompani për përfundimin e ndërtimit të segmentit përfundimtar të rrugës që nisi të zgjerohej në vitin 2009.

Ky Projekt ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë me probleme të shumta dhe një ndër projektet më të stërzgjatura”, tha Aliu.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, tha se kontrata e deritanishme për ndërtimin e këtij segmenti u shkëput një vit më parë për shkak se auditori kishte gjetur “parregullsi”.

“Jemi detyruar ta zhvillojmë një auditim dhe auditimi ka gjetur shumë parregullsi dhe rekomandimi ka qenë që duhet të shkëputet kontrata”, tha Durmishi.

Durmishi tha se kanë analizuar veprimet e tyre në mënyrë që, nëse kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratë e padit shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, ajo të mos mund ta fitojë rastin.

“Konstatimi është që ne nuk rrezikojmë fare [nga shkëputja e kontratës]”, tha ai.

Krerët e Ministrisë kanë bërë të ditur se projekti i kësaj rruge ka kosto prej rreth 25 milionë eurosh dhe fondet janë siguruar me huamarrje nga fondi ndërkombëtar OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Fondi Saudit për Zhvillim.

Kontratën për këtë rrugë e fitoi konsorciumi i përbërë nga dy kompani: Eskavator, kompani nga Kosova dhe Hidrostroi, kompani nga Bullgaria.

Këto dyja, sipas zëvendësministrit, kishin bërë ofertën më të lirë gjatë tenderimit.

“Që nga sot janë 12 muaj ditë kalendarike. Pra sot një vit kontratori e ka për detyrim ta dorëzojë projektin e përfunduar”, shtoi Durmishi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG