Ndërlidhjet

Dodik nënshkruan ligjin për mospublikimin e vendimeve të Schmidtit


Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka nënshkruar ligjin kundërthënës sa i përket vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, njoftoi kabineti i tij.

Sipas ligjit të dekretuar, vendimet e përfaqësuesit të lartë më nuk do të publikohen në këtë entitet.

Dodik nënshkroi legjislacionin pavarësisht faktit që përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, me vendimin e tij të 1 korrikut ka shfuqizuar të gjithë procedurën legjislative për këtë çështje.

Ligji u miratua nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska në qershor. Përveç këtij ligji, Parlamenti i entitetit po ashtu ka miratuar një ligj që thotë se nuk do të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.

Zakonisht, ligjet hyjnë në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, por Parlamenti i entitetit ka votuar që ligjet të hyjnë në fuqi një ditë pas publikimit të tyre.

Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve në Republikën Sërpska më 4 korrik tërhoqi veton ndaj dy legjislacioneve, sepse sipas vendimit të Schmidt këto “ligje më nuk ekzistojnë”.

Para nënshkrimit të dekretit, që i bën ligjet e plotfuqishme, ato duhet të miratohen nga Këshilli i Popujve, që është një mekanizëm për të mbrojtur interesat vitale kombëtare të etnive që jetojnë në Bosnje: serbët, boshnjakët dhe kroatët.

Dodik, një prej iniciatorëve të nismave kundërthënëse ligjore, më herët ka thënë se entiteti i Republikës Sërpska nuk do të pranojë vendimet e Schmidt.

Zyrtarët nga Republika Sërpska, të udhëhequr nga Dodiku, vazhdimisht kanë kontestuar legjitimitetin e Schmidt, që kur ai mori mandatin, pasi që emërimi i tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia.

Shtetet e tjera të Këshillit të Sigurimit kanë thënë se nuk është e nevojshme që ky trup të votojë për emërimin e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG