Ndërlidhjet

UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale


Dora e një gruaje në një protestë në Francë, me thirrjet kundër dhunës ndaj grave.
Dora e një gruaje në një protestë në Francë, me thirrjet kundër dhunës ndaj grave.

Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare, janë dhunuar apo janë sulmuar seksualisht në gjithë botën, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Këto janë shifrat e para të agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, dhe janë publikuar një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.

Nëse në të dhëna përfshihen edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se çdo e pesta vajzë është përballur me një formë dhune, ka thënë UNICEF.

Situata është më e komplikuar në rajonet më cenueshme, sikurse ato me institucione më të dobëta, me prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, apo me prani të shumë refugjatëve që i ikin dhunës dhe pasigurive.

Në këto situata, shkalla e dhunimeve dhe sulmeve seksuale mund të rritet në më shumë se çdo të katërtën vajzë.

Edhe djemtë dhe burrat e rinj preken nga dhuna seksuale, ka raportuar agjencia.

Vlerësohet që rreth 240 deri në 310 milionë djem – rreth një në 11 – kanë përjetuar dhunë apo sulme seksuale gjatë fëmijërisë.

Sipas të dhënave, rastet më të shpeshta të dhunës seksuale ndodhin gjatë adoleshencës.

Rajonet me numrin më të madh të rasteve të dhunës seksuale te fëmijët janë: Afrika sub-Sahariane, më pas Azia Lindore dhe Juglindore, Azia Qendrore dhe Jugore dhe më pas Evropa dhe Amerika Veriore.

Raporti është përpiluar pas kryerjes së anketave në më shumë se 120 shtete dhe territore në periudhën 2010-2022, ka thënë UNICEF.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG