Ndërlidhjet

Pompeo: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi forcon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

Pompeo këto komente i bëri pas një takimi në Nju Jork me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiq, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq tha se gjatë takimit, sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai tha se ka kërkuar që “SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe”.

“Unë i kam kërkuar administratës amerikane që të përpiqet - edhe pse ka bërë deri më tani - të ndikojë më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura ndaj nesh, një vit më parë, dhe në lidhje me këtë nuk ka dyshim se kemi mbështetjen e SHBA-së, sepse ata, si dhe ne, e konsiderojmë të rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës", ka shkruar Vuçiq në llogarinë tij në Instagram.

Takimi ndërmjet presidentit Vuçiq dhe sekretarit Pompeo bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG