Ndërlidhjet

Mijëra kazakë ia mësyjnë Koresë së Jugut për paga më të mira


Migrantë që kryejnë punë fizike. Fotografi ilustruese.
Migrantë që kryejnë punë fizike. Fotografi ilustruese.

Baqtybai Qozhakhmetov e ka lënë fshatin e tij Taldybulaq në juglindje të Kazakistanit, pesë vjet më parë, për të punuar në Korenë e Jugut, që t’i përmirësojë kushtet në familjen e tij.

Qozhakhmetov, 35-vjeçar, ka thënë se dërgon në shtëpi 2.570 dollarë në muaj, shumë goxha më e madhe sesa paga mesatare prej 720 dollarëve në Kazakistan, shtet i Azisë Qendrore.

Me këto ndihma mujore, familja e tij tashmë ka blerë shtëpi dhe makinë.

Pjesa më e madhe e pagës së Qozhakhmetovit shkon për qira, ushqim dhe shpenzime tjera të jetesës në Korenë e Jugut.

Qozhakhmetov ka thënë se gjetja e punëve që paguhen mirë, ka qenë diçka e lehtë për të.

Mirëpo ai e pranon se shpesh punët kanë qenë goxha sfiduese fizikisht.

Baqtybai Qozhakhmetov.
Baqtybai Qozhakhmetov.

“Fillimisht kam punuar në ndërtimtari, më pas kam transportuar shalqinj në një serë”, ka thënë Qozhakhmetov.

“Një prej punëve më të vështira ka qenë bartja e thasëve të cementit në maje të malit. Ata më kanë paguar 150 dollarë për tri orë punë”.

Qozhakhmetov pretendon se migrantët pa ndonjë kualifikim mund t’i fitojnë mes 100-320 dollarëve në ditë, në Korenë e Jugut.

Koreja e Jugut është një prej destinacioneve më të njohura për punëtorët prej Kazakistanit, ku varfëria vazhdon të jetë e përhapur, pavarësisht burimeve të shumta të energjisë në territorin e tij.

Autoritetet në Seul vlerësojnë se janë të paktën 9.000 shtetas kazakë që punojnë ilegalisht në Korenë e Jugut.

Të tjerë besojnë se janë rreth 20.000 të tillë. Shumë migrantë kanë thënë se e kanë lënë Kazakistanin për shkak të pagave të ulëta.

Një marrëveshje e nënshkruar në mes të Astanas dhe Seulit më 2014, u mundëson shtetasve kazakë që të shkojnë në Korenë e Jugut pa pasur nevojë për viza dhe të qëndrojnë në këtë shtet si turistë për 30 ditë.

Shumë prej tyre besohet se kanë qëndruar edhe më gjatë se periudha e paraparë dhe kanë punuar në fushat si ndërtimtaria, bujqësia dhe shërbime për industri të ndryshme.

Shumë migrantë, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë insistuar se janë të lumtur me pagat relativisht të larta që fitojnë në Korenë e Jugut. Mirëpo, ata e kanë pranuar se migrantët ilegalë nuk kanë të drejta ose mbrojtje ligjore dhe shpesh janë pre e shfrytëzimeve.

Qozhakhmetov ka thënë se vëllai i tij, i cili ka shkuar në Korenë e Jugut bashkë me të në maj të vitit 2018, është ndaluar dhe është dëbuar nga autoritetet e Koresë së Jugut, vetëm dy javë pas skadimit të vizës së tij.

Pa mbrojtje ligjore

“Punëtorët migrantë kazakë nuk kanë qasje në sigurim mjekësor dhe, kur plagosen, trajtimi mjekësor është shumë i shtrenjtë”, ka thënë Lazzat Qurbanaliqyzy, migrate prej Kazakistanit.

“Disa prej tyre as nuk kërkojnë trajtim mjekësor kur sëmuren, sepse është shumë shtrenjtë [pa sigurim] dhe porcesi merr shumë kohë”.

Qurbanaliqyzy paralajmëron njerëzit që para se të largohen nga Kazakistanit, të analizojnë me kujdes nëse duan të punojnë si migrantë ilegalë, dhe të mos joshen nga videot e rreme në rrjetet sociale se si mund të fitojnë lehtë para në Korenë e Jugut.

Lazzat Qurbanaliqyzy.
Lazzat Qurbanaliqyzy.

Teknologe me profesion, Qurbanaliqyzy ka shkuar në Korenë e Jugut tre vjet më parë, duke e lënë punën e saj prestigjioze, por të paguar pak, si profesoreshë fakulteti në qytetin Taraz.

Qurbanaliqyzy ka thënë se arsyeja më e madhe pse ka vendosur të ikë prej shtëpisë ka qenë fakti që mezi e ka përmbyllur muajin me muaj.

Kjo 52-vjeçare, ish-profesoreshë, tani punon në ndërtimtari, dhe bën punë fizike.

Grackat e zakonshme

Mirëpo gjetja e një pune, nuk është gjithmonë gjë e lehtë në Korenë e Jugut, sidomos për gratë, ka thënë Qurbanaliqyzy.

“Fillimisht ka qenë e vështirë për mua këtu, nuk kam mundur të gjejë punë në muajt e parë”, ka thënë Qurbanaliqyzy për Radion Evropa e Lirë.

“Shumë njerëz janë zotuar për ndihmë, mirëpo në fund më kanë mashtruar. Shpesh dëgjoj rrëfime të ngjashme edhe prej njerëzve tjerë”.

Ka pasur raste në të cilat punëtorët kazakë nuk janë paguar prej punëdhënësve jugkoreanë, të cilët thjesht refuzojnë të japin paga pas disa muajve punë, duke e pasur parasysh situatën e ndjeshme të migrantëve ilegalë.

Të frikësuar nga burgosja apo dëbimi, punëtorët ilegalë nuk guxojnë të ankohen në polici.

Disa punëtorë dhe politikanë i kanë bërë thirrje Qeverisë në Astana që të tentojë të arrijë një marrëveshje me Seulin, për t’iu mundësuar kazakëve që të sigurojnë leje pune në Korenë e Jugut.

Në prill, Ilyas Ispanov, atë periudhë ushtrues detyre i udhëheqësit të Komitetit shtetëror për Migrimin, ka thënë se Koreja e Jugut ka propozuar që Kazakistani t’i bashkohet Sistemit për Leje Punësimi, për ta luftuar problemin në rritje të migrimit ilegal prej vendeve të Azisë Qendrore.

Sistemi i lejes është program për punëtorët e pakualifikuar që punojnë në Korenë e Jugut, në sektorët sikurse bujqësia, ndërtimtaria dhe prodhimi.

Ministria kazake e Punës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë ende në negociata mes dy qeverive, ndonëse shtetet ende nuk kanë arritur marrëveshje.

Ndërkohë, mijëra kazakë vazhdojnë të punojnë ilegalisht në Korenë e Jugut.

“Shuma e parave që i kam fituar në Kazakistan brenda një muaji është e barabartë me shumën që e kam fituar për katër ditë në Korenë e Jugut”, ka thënë 27-vjeçari, Abzal Smatulla.

Abzal Smatulla
Abzal Smatulla

I diplomuar në Universitetin Kombëtar të Euroazisë në Astana, Smatulla ka punuar si saldator dhe kopshtar, qysh kur ka arritur në Korenë e Jugut më 2019.

Smatulla ka thënë se shumë kazakë të diplomuar – sikurse mjekët dhe mësuesit – tani janë punëtorë ilegalë në Korenë e Jugut.

Shumë prej tyre planifikojnë të kthehen dikur në Kazakistan.

Smatulla ka thënë se planifikon të kthehet në shtëpi “brenda tre vjetëve”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG