Ndërlidhjet

Tusk: Migrimi përmes Bjellorusisë organizohet në mënyrë paraushtarake


Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e ka mbrojtur planin e shtetit të tij kundër migrantëve në kufi me Bjellorusinë.

Në kufirin lindor të Polonisë, refugjatët nuk shfaqen në mënyrë spontane, ka thënë Tusk të mërkurën për të përditshmen Gazeta Wyborcza.

“Këto veprime janë të organizuara në mënyrë paraushtarake, dhe ne po vëzhgojmë nga afër se në Siri dhe Iran, grupet janë duke u organizuar, jo vetëm për kalime ilegale të kufirit, por edhe për një qasje që ne në NATO duhet ta klasifikojmë si të rrezikshme”, ka thënë Tusk.

Sipas tij, ekziston një sistem i tërë i rekrutimeve përmes përfaqësuesve rusë dhe bjellorusë në shumë shtete.

Kryeministri polak ka thënë se ekzistojnë dëshmi që në Siri ka kriminelë dhe njerëz me lidhje me organizatat terroriste që po lirohen nga burgjet dhe po sillen në kufirin polako-bjellorus, i cili përbën edhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Polonia synon të miratojë një ligj të ri për të pezulluar përkohësisht të drejtën për azil për migrantët që kalojnë ilegalisht kufirin me Bjellorusinë. Projektligji pritet të jetë i gatshëm brenda javësh.

Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë presidentin rus, Vladimir Putin dhe aleatin e tij bjellorus, Alexander Lukashenka, për krijimin e krizës me migrantë në kufijtë e jashtëm të BE-së, me qëllim të rritjes së presionit ndaj Perëndimit.

Pavarësisht ndërtimit të një muri me gjemba, mbi pesë metra të larta, dhe një sistemi elektronik të vëzhgimit, migrantët vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të kaluar kufirin.

Prej fillimit të vitit, rojet kufitare kanë vërejtur rreth 28.000 tentime të këtilla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG