Ndërlidhjet

Meta dhe Rama përplasen për ministrin e emëruar, Gent Cakaj


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri të ditur të enjten se ka refuzuar emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, i propozuar nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të ristrukturimit të Qeverisë.

Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit, presidenti Meta shprehet se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Cakaj, i cili është me prejardhje nga Kosova, ka qenë për një periudhë këshilltar i kryeministrit dhe prej 7 muajsh zëvendësministër i Jashtëm, i ngarkuar për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Presidenti u ndal në dy argumente konkrete, që, sipas tij, e bëjnë të papranueshme kandidaturën e Cakajt për postin e ministrit të Jashtëm, certifikata e sigurisë që është detyrim ligjor dhe qëndrimet publike të Cakajt sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Meta tha se që nga momenti i emërimit të tij në postin e zëvendësministrit të Jashtëm, Gent Cakajt “i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me certifikatat përkatëse të Sigurisë”, por ai e ka shmangur këtë detyrim.

Presidenti Meta, po ashtu, vlerëson seCakaj “ka mungesë përvoje në politikë dhe se qëndrimet e tij janë të papranueshme”.

“Zoti Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, porse qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”, u shpreh Meta duke iu referuar disa deklaratave të Gent Cakajt lidhur me idetë për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë një emisioni televiziv.

Presidenti theksoi se “këto deklarata të rrezikshme të zotit Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”.

Ndërsa, vë në dukje rëndësinë dhe rolin e ministrisë së Jashtme shqiptare përballë disa sfidave të afërta të diplomacisë si në kuadër të presidencës së ardhshme të OSBE-së ashtu dhe në pritje të vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, presidenti Meta e mbyll letrën e tij dërguar kryeministrit duke u shprehur se “kandidatura e zotit Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Derisa ka refuzuar dekretimin e ministrit të ri, presidenti Meta nuk ka firmosur ende shkarkimin e ministrit aktual, Ditmir Bushati, i cili vijon të mbetet zyrtarisht në detyrë.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Twitter, tha se vendimi i presidentit është “jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm”.

Presidenti Meta i është përgjigjur prapë kryeministrit në rrjete sociale, duke thënë se “pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë”.

Kryeministri Rama në fund të muajit dhjetor largoi më shumë se gjysmën e anëtarëve të kabinetit të tij, që mbanin poste si ministra në pesë vjetët e qeverisjes nga Partia Socialiste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG