Ndërlidhjet

Për nxënësit turq mungojnë tekstet shkollore  


Nxënësit në Kosovë duke iu nënshtruar një testi. Fotografi ilustruese.
Nxënësit në Kosovë duke iu nënshtruar një testi. Fotografi ilustruese.

Nxënësit e komunitetit turk në Kosovë, që ndjekin mësimin fillor, nuk i kanë të gjitha librat në gjuhën e tyre - sidomos ato për lëndët kombëtare.

Lëndë kombëtare të komuniteteve, sipas plan-programit mësimor në Kosovë, janë: gjuha, historia, arti dhe muzika, ndërsa te lëndët e përgjithshme klasifikohen: matematika, fizika, gjeografia, kimia e të tjera.

Tekstet për lëndët kombëtare të turqve hartohen nga ekspertë të komunitetit turk, kurse ato për lëndët e përgjithshme i hartojnë ekspertë shqiptarë dhe pastaj përkthehen në turqisht.

Kryetari i Shoqatës së Arsimtarëve Turq në Kosovë, Eroll Kala, thotë se mungesa librash ka për të dyja grupet e lëndëve - sidomos në pesë vjetët e fundit.

“Në disa klasa mungon matematika, në disa gjeografia, e në disa të tjera historia. Kur ka libra, arsimtari dikton nga librat. Por, që pesë vjet nuk i kemi të gjitha tekstet dhe arsimtarët shfrytëzojnë internetin, diktojnë në klasë dhe nxënësit shkruajnë”, thotë Kala për Radion Evropa e Lirë.

Procesi mësimor në gjuhën turke në Kosovë zhvillohet në të gjitha nivelet - nga parashkollor deri në universitar. Por, më i organizuari është në ato komuna ku ka më shumë pjesëtarë të komunitetit turk: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë e Mamushë.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.

Ligjet për arsim garantojnë shkollim të barabartë për të gjitha komunitetet pakicë në Republikën e Kosovës - përfshirë atë turk - çfarë do të thotë se të gjithë nxënësit kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

Misioni i Urmës për t’i mësuar gjuhën komunitetit të saj
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me komunat e Kosovës, e ka detyrim ligjor që t’iu sigurojë nxënëseve të nivelit fillor tekstet adekuate në gjuhët e tyre amtare.

Nga kjo ministri thonë për Radion Evropa e Lirë se, në bashkëpunim me shtëpitë botuese, për vitin shkollor 2021/2022, kanë përkthyer të gjitha tekstet e lëndëve të përgjithshme, nga gjuha shqipe në gjuhën turke, për klasat: 1, 2, 3, 6, 7 dhe 8. Shpërndarja e tyre nëpër shkolla është finalizuar në janar të vitit 2022, ndonëse viti i ri shkollor ka filluar në shtator.

Sa u përket teksteve për lëndët kombëtare, MASHTI pranon se “një numër i konsiderueshëm i tyre mungojnë”, pasi “nuk e kanë kaluar vlerësimin e recensentëve” ose “nuk ka pasur aplikime me dorëshkrime”.

Fidan Brina Jilta, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike Turke, thotë se problemi i mungesës së librave në turqisht rrjedh nga mosgatishmëria e shtëpive botuese për të shtypur libra me numër të vogël të kopjeve.

“Shtypshkronjat nuk dëshirojnë të botojnë, për shkak të numrit të vogël të tirazhit”, thotë Brina Jilta për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të MASHTI-t, numri i përgjithshëm i nxënësve të komunitetit turk në sistemin para-universitar të Kosovës është 2,704. Prej tyre, 1,914 nxënës janë në arsimin fillor.

Eroll Kala, nga Shoqata e Arsimtarëve Turq në Kosovë, thotë se as shtëpitë botuese, as autorët nuk janë të interesuar të hartojnë tekste shkollore në turqisht, për shkak të pagesës më të vogël që sjell tirazhi i vogël.

“Unë kam biseduar me disa autorë të librave... Një historian, madje, më ka thënë se nuk ka llogari të shkruajë, sepse ka më shumë shpenzime për shtypje, sesa përftime nga librat”, thotë Kala.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar dy shtëpive botuese në Kosovë, Dukagjini dhe Albas, me kërkesën për t’i komentuar pretendimet rreth tirazhit, por ato nuk janë përgjigjur.

Në një takim me përfaqësuesit e komunitetit turk, të mbajtur këtë javë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se Qeveria e tij do t’i paguajë autorët e teksteve shkollore në gjuhën turke.

“Duke e ditur rëndësinë e mësimit në gjuhën tuaj, Qeveria ka marrë vendim për pagesën e autorëve, në mënyrë që tekstet shkollore në gjuhën turke të jenë në dispozicion për nxënësit nga ky komunitet”, ka thënë Kurti.

Tryeza me përfaqësuesit turq është mbajtur më 19 prill, për t’u njoftuar me, siç është thënë, sfidat dhe mundësitë e këtij komuniteti në prag të Ditës së Turqve në Kosovë.

Kjo ditë shënohet çdo 23 prill.

Në ueb-faqen e Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Kosovë thuhet se numri i pjesëtarëve të komunitetit turk në vend është rreth 1% e numrit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës - shifër kjo që përputhet me rreth 19,000 persona.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG