Burim Mehmeti, babai i një vajze 5-vjeçare, thotë se vajza e tij ka mbetur jashtë programit për mësim në distancë, që kur u mbyllën institucionet shkollore në mes të muajit mars. Ajo ishte duke ndjekur programin parashkollor para mbylljes së shkollave.
Por, fatin e saj nuk e kanë pasur nxënësit e tjerë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vendosi që përmes kanalit televiziv publik RTK, të transmetojë mësime për nxënësit e ciklit të ulët dhe të lartë fillor, nga klasa e parë në të nëntën
"Ajo ka mësuar një pjesë të shkronjave, por tash e një muaj ka mbetur as andej as këndej. Ka mbetur jashtë sistemit arsimor. Megjithëkëtë edhe mësimi në distancë për këtë moshë besoj do të jetë i vështirë, se di sa do ta kuptojnë. Shpresoj që do të kompensohet pjesa e humbur, pas pandemisë", thotë Mehmeti.
Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi.
Labërie Luzha, udhëheqëse e divizionit për arsim të hershëm dhe parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se prej ditës së mërkurë pritet të nisë mësimi në distancë edhe për parashkollorët.
"Ne kemi lansuar përmbajtjen e platformës, në televizonin publik, RTK e që është video promovuese, mësimi në distancë. Këtu përfshihen fëmijët e moshës 0 deri 6 vjet, ku 4 deri në 6 që janë klasa parafillore", tha ajo.
“UNICEF” dhe “Safe the Children” përkrahin mësimin në distancë
Organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijë UNICEF është duke përkrahur mësimin në distancë në Kosovë për grupmoshat 0 deri në 6 vjeç.
Murat Sahin, shef i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se gjashtë vjetët e para të jetës së një fëmije është periudha më kritike për ndërtimin e një baze të fortë për zhvillimin e ardhshëm të fëmijës dhe një periudhe të artë për të investuar në fëmijët e vegjël dhe familjet e tyre.
Ai shtoi se kjo platformë që tashmë e kanë ndihmuar për t’u jetësuar, do të përmbajë aktivitete ditore dhe javore të cilat sigurisht që do të ndihmojnë prindërit të angazhojnë fëmijët e tyre në aktivitete që mbështesin zhvillimin e tyre optimale.
"Ministria e Arsimit do të nisë një video informuese për të informuar dhe udhëzuar prindërit dhe kujdestarët për përmbajtjen dhe përdorimin e platformës UNICEF dhe ‘Save the Children’ do të vazhdojë të punojë me partnerë për të mbështetur dhe ndihmuar fëmijët dhe familjet në kohën e pandemisë", tha Sahin.
Parashkollorët të merren me lojëra, jo me lajme rreth virusit
Visar Sadiku, psikolog i fëmijëve, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se mësimi në distancë për grup moshat 0 deri në 6 vjeç, ka një rol të rëndësishëm, pasi që krijohet një rutinë në të cilën fëmija duhet realizuar detyrat e përcaktuara me qëllim që në të ardhmen kjo shprehi të stimulohet më tutje, duke u përforcuar në shprehi pune.
"Të mësuarit të bëhet në mënyrë sa më kreative, i hapur dhe jo të sfidojë shkathtësitë e tyre aktuale. Koha të jetë e limituar dhe më tepër, dhe nga vetë fjala edukim parafillor, nuk nënkuptohet edukim fillor formal, pra më tepër të jetë me karakter rekreativ sesa të jetë formë e edukimit fillor konkret, ku nënkuptohet se mund të përdoren këngët, vizatimet, lojërat e ndryshme për të mësuar alfabetin, numrat apo të dhëna të tjera me rëndësi", tha Sadiku.
Sadiku shtoi se është me rëndësi për fëmijët mësimi në distancë, pasi që është një shfrytëzim më cilësor i kohës, ku me këtë rast fëmijët mund të kalojnë kohë duke mos u përballur me të dhënat të cilat vazhdimisht transmetohen nga familjarët apo mediat rreth koronavirusit të ri.