Ndërlidhjet

Me cilin flamur?


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës

Polemikat dhe debatet rreth simboleve shtetërore të Kosovës po vazhdojnë 10 vjet pas pavarësisë.

Debatet janë shtuar sidomos pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që flamurin kombëtar shqiptar, të vendosur në njërën nga pjesët hyrëse, të njohur si rreth i Prishtinës, ta zëvendësojë me flamurin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të martën dha urdhër që flamuri shtetëror të vendoset në hyrje të Prishtinës, aty ku tani e sa kohë nga pushteti lokal ishte vendosur flamuri kombëtar shqiptar.

Në një postim në Facebook, kryeministri Haradinaj ka thënë se vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet për nder të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë.

“Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.

Këtë veprim nuk e ka mirëpritur një grup i qytetarëve, por edhe i atyre politikanëve që besojnë se simbolet kombëtare të shqiptarëve nuk mund të zëvendësohen me ato të Kosovës.

Megjithatë, flamuri i Kosovës, tashmë është vendosur te rrethi në Prishtinë, ndonëse ende ka mospajtime apo edhe mendime se aty do të duhej të qëndronin të dy flamujt.

Adem Miftari, qytetar nga Prishtina thotë se përveç flamurit të Kosovës duhet të vendoset edhe flamuri kombëtar shqiptar.

“Propozoj që brenda 24 orëve te një rreth tjetër, ai që shkon nga lagjja Veternik në Prishtinë të vendoset flamuri kombëtar shqiptar dhe populli të mban qetësi pasi që janë të mllefosur. Duhet të vendosim edhe flamurin e Kosovës edhe flamurin kombëtarë të shqiptarëve”, thotë ai.

Madje, mediat lokale kanë publikuar edhe pamje, siç raportohet nga qyteti i Gjilanit, ku disa qytetarë e djegin flamurin e Kosovës në shenjë revolte ndaj vendimit për largimin e flamurit kombëtar të shqiptarëve nga hyrja e Prishtinës.

Flamuri i Kosovës dhe flamuri kombëtar shqiptar. Foto nga arkivi
Flamuri i Kosovës dhe flamuri kombëtar shqiptar. Foto nga arkivi

Në anën tjetër, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se shqiptarët e Kosovës, aktualisht ndodhen mes dy modeleve të të kuptuarit të kombit.

Sipas tij, shqiptarët zakonisht e marrin modelin e kombit kulturor dhe jo kombit qytetar. Modeli i fundit, siç thotë ai, i shkon më së miri mënyrës dhe vullnetit se si është krijuar Kosova shtet i pavarur dhe sovran.

“Te shqiptarit dhe në përgjithësi në Ballkan ekziston një traditë e të menduarit mbi kombin dhe shtetin që shkon nga unitarizmi, përkatësisht tradita, që kombin e sheh si kujtesë të kaluarës së përbashkët, si gjak, truall dhe gjuhë. Por, ekziston edhe tradita tjetër e pranuar botërisht që e sheh kombin si konstruksion politik dhe vullnet politik qytetar”, thekson Matoshi.

Megjithatë, shton ai, debatet rreth kësaj çështje janë të panevojshme dhe, sipas tij, shteti duhet të identifikohet me simbolet e veta në botë.

“Kosovës sot i duhen patriot konstitucionalistë, të cilët e mbrojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë sepse një komb në kushte normale do të thotë një bashkësi njerëzore që i nënshtrohet të njëjtit ligj të njëjtës Kushtetutë”, thotë ai.

Një debat edhe më i ashpër zhvillohet nëpër rrjetet sociale, ku individë të ndryshëm shkruajnë për dhe kundër identifikimit të shtetit të Kosovës me simbolet shtetërore.

Rreth polemikave që janë krijuar për vendosjen e flamurit të Kosovës në hyrje të kryeqytetit, ka shkruar në rrjetin social Facebook, edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai ka shkruar se flamuri i Kosovës duhet të vendoset në çdo institucion publik, sipas protokollit të shtetit.

“LDK e mbështet rivendosjen e flamurit të shtetit të Kosovës tek rrethi - sa më lartë e dinjitetshëm. Ky flamur duhet të vendoset në çdo institucion publik, sipas protokollit të shtetit. Në çdo cep të botës që të valojë flamuri i Kosovës, aq me krenare do të jetë shqiponja dykrenore e Ismail Qemail Vlorës. Dhe, me ndihmën e miqve, do ta vëmë flamurin e Kosovës edhe në OKB, ashtu siç e dëshironte dhe kërkonte edhe Presidenti Rugova”, ka shkruar Hoti.

Kundër largimit të flamurit kombëtar shqiptar dhe vendosjes së flamurit të Kosovës janë shprehur Lëvizja Vetëvendosje

Në një postim në rrjetin social Facebook, kjo lëvizje ka dënuar heqjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe përpjekjen siç thonë ata ‘për ta fshirë shqiptarizmën nga faqja e Kosovës’.

“Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku ngrihet siç parashikohet në ligj, po ashtu i ka vendet ku sipas protokollit ngrihet në raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi 'Idriz Seferi', në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash”, konsiderojnë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë kërkuar nga ata që e hoqën, ta kthejnë sa më shpejt flamurin kombëtar aty ku ishte më përpara.

Ndërkohë, edhe analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi shkruan se nuk do të duhej të kishte dyshime rreth shpalosjes së flamurit shtetëror.

“Nëse edhe në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë ka politikanë që kanë dyshime rreth shpalosjes së flamurit shtetëror, nuk ka dyshim që shumëkush (miq e armiq) do të pyesin se a e meritojmë këtë shtet”, ka shkruar Ibrahimi.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 115 shtete. Ndërkohë, është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Por, Kosova nuk ka arritur të rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, pasi që nuk është bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera, që ndërlidhen me OKB-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG