Ndërlidhjet

Mbyten katër emigrantë duke tentuar ta kalojnë Kanalin Anglez


Një veturë e Policisë franceze plazh në Calais, në veri të Francës. Fotografi ilustruese.
Një veturë e Policisë franceze plazh në Calais, në veri të Francës. Fotografi ilustruese.

Katër emigrantë janë mbytur në ujërat franceze duke u përpjekur ta kalojnë Kanalin Anglez të dielën, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Rreth 70 njerëz u munduan të hipnin në një anije të vogël, e cila u përmbys duke tentuar të nisej nga një plazh në orët e hershme të së dielës, sipas mediave franceze.

Dhjetëra prej tyre u nxorën nga uji nga ekipet e shpëtimit në qytetin Calais në veri të Francës.

Autoritetet lokale njoftuan se katër emigrantët e mbytur ishin nga Iraku dhe Siria.

Një person tjetër u lëndua rëndë dhe u dërgua në një spital të afërt në Bolougne.

Emigrantët hasën në telashe menjëherë pasi anija u nis nga bregdeti francez në drejtim të Anglisë rreth orës 2:00 mëngjesin e së dielës, sipas AFP-së.

“Pasi anija u nis nga plazhi, njerëzit hasën në vështirësi në ujë për të arritur të hipin në anije”, tha për AFP-në një zëdhënës i prefekturës detare të Francës.

Një anije patrulluese shkoi në vendin e ngjarjes dhe i gjeti trupat e pajetë.

Rreth 50 zjarrfikës dhe disa automjete të policisë shkuan në vendin e ngjarjes, po ashtu.

Dhjetëra të mbijetuar u dërguan në një qendër të komunitetit lokal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG