Ndërlidhjet

Si të mbroheni prej sulmeve kibernetike?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

“Mos jepni të dhëna personale në ueb-faqet që nuk ofrojnë siguri dhe mos hapni emaile të dyshimta”!

Rekomandime të tilla për shfrytëzuesit e internetit jep Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës, me qëllim të, siç thotë, mbrojtjes nga sulmet kibernetike.

Sulmet e tilla nënkuptojnë përpjekjet e hakerëve për të fituar qasje të paligjshme në një kompjuter ose sistem kompjuterik, me qëllim të shkaktimit të dëmeve.

Trendi i tyre është në rritje, sidomos nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit. Raportohet se pushtimi në terren është përshkuar edhe me sulme të sofistikuara kibernetike.

Muajve të fundit, institucionet e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë qenë po ashtu caqe, ndërsa hakerët e lidhur me shërbimet ruse dhe me ato iraniane, janë fajësuar për disa prej sulmeve.

Ekspertët tërheqin vërejtjen se nuk janë vetëm qeveritë që duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet e sigurisë kibernetike. Sipas tyre, vetëdija duhet të rritet edhe te individët, bizneset dhe veçanërisht te sektori i shëndetësisë.

“Phishing” dhe “Spear phishing”

Mentor Hoxhaj, drejtues i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, thotë se shfrytëzuesit e internetit duhet të jenë sidomos të kujdesshëm nga emailet e ashtuquajtura “Phishing” dhe “Spear phishing”.

Këto emaile janë një lloj sulmi që hakerët e bëjnë me qëllim të vjedhjes së të dhënave të ndjeshme, përfshirë: fjalëkalime, kartela bankash e të tjera.


Ato, zakonisht, vijnë në formën e një vegëze apo linku, i cili nëse klikohet, hakerëve u jep qasje në të dhëna.

“Vegëzat ‘phishing’ janë më të qarkullueshme në rrjetet sociale, si p.sh. me mbishkrimin: ‘Këto janë fotografitë tuaja’ apo ‘Shikoni, kjo është videoja juaj’. Kjo është forma që shfrytëzuesit e internetit i bën të kyçen [klikojnë] dhe aty infektohen dhe mund t’i humbasin të dhënat e tyre”, shpjegon Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se përdoruesit e internetit mund të instalojnë programe që e bëjnë skanimin e vegëzave dhe verifikojnë nëse ato janë ‘phishing’ ose jo.

Hoxhaj, po ashtu, rekomandon që fjalëkalimet e emaileve apo për qasje në ueb-faqe të ndryshme, të bëhen sa më të komplikuara dhe, mundësisht, me verifikim edhe përmes numrit të telefonit.

Ai thotë se edhe trajnimet për vetëdijesim do të ishin të dobishme.

Sa janë të informuar qytetarët?

“Unë nuk e di as çka është [sulmi kibernetik]”, thotë Alketa, studente në Prishtinë.

“Nuk e di që kam marrë ndonjë email apo ndonjë link të dyshimtë. Nuk jam e informuar... Nuk e di se si do të veproja”, thotë ajo.

“Për sulmet kibernetike nuk paskam dëgjuar asnjëherë”, thotë Liridon Fetahu, 35 vjeç, nga Fushë Kosova.

Alban Bicaj, student në Fakultetin Teknik në Prishtinë, thotë se i ka ndodhur të hasë në emaile të dyshimta.

“Këto emaile që vijnë zakonisht për fotografi, nuk i shikoj. I verifikoj linqet që vijnë nëse janë të sigurta ose jo”, thotë Albani.

Me qëllim të mbrojtjes nga sulmet kibernetike, Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës u rekomandon përdoruesve të instalojnë “antivirus” në kompjuterët e tyre. Antivirusi është një aplikacion që detekton dhe largon emailet keqdashëse.

Kjo agjenci u rekomandon përdoruesve që të mos dërgojnë informacione të ndjeshme përmes emaileve. Në ueb-faqen e saj mund të gjenden edhe rekomandime të tjera.

Kosova si cak

Më 6 shtator, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se disa ueb-faqe të institucioneve të shtetit kanë qenë cak i një sulmi kibernetik, por nuk ka specifikuar cilat.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se sulmi ka ardhur nga jashtë Kosovës, por nuk ka dhënë detaje se prej cilit vend.

Ai ka thënë se sulmi nuk ka arritur të depërtojë brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi “është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”.

Më 13 shtator, edhe Telekomi i Kosovës ka thënë se ka qenë cak i sulmeve kibernetike, por se ka arritur t’i kthejë shërbimet e prekura.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, në periudhën janar-gusht të këtij viti janë regjistruar 168 raste të veprës penale “hyrje në sistemet kompjuterike”. Policia nuk ka dhënë detaje se kush ka qenë cak apo nga kanë ardhur ato hyrje.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG