Ndërlidhjet

Mbreti spanjoll përballet me turmat e zemëruara në zonën e vërshimeve


Mbreti Felipe VI i Spanjës duke biseduar me banorët e zonës së prekur nga vërshimet.
Mbreti Felipe VI i Spanjës duke biseduar me banorët e zonës së prekur nga vërshimet.

Mbreti Felipe VI i Spanjës është përballur me protestues të zemëruar keq, teksa ka vizituar rajonin Valencia, i cili ka regjistruar vërshime të pashembullta në ditët e fundit.

Në disa pamje, banorët e zonës janë dëgjuar duke bërtitur “vrasës” dhe “turp” dhe kanë hedhur baltë në drejtim të mbretit, i cili është pyetur pse nuk është bërë asgjë për të shmangur tragjedinë.

Vërshimet më të këqija në Spanjë, në dekada, kanë lënë lagje të tëra të mbuluara nga balta dhe dhjetëra makina të rrokullisura njëra mbi tjetrën.

Banorët e zemëruar me autoritetet në rajonin e Valencias.
Banorët e zemëruar me autoritetet në rajonin e Valencias.

Më shumë se 200 njerëz kanë vdekur si pasojë e vërshimeve dhe ka ende persona të zhdukur.

Ekipet për kërkim-shpëtim janë duke bërë përpjekje që të gjejnë ndonjë të mbijetuar.

Banorët janë tejet të zemëruar për, siç thonë ata, mungesën e paralajmërimit dhe mbështetjes së duhur nga autoritetet pas vërshimeve.

Mbreti Felipe dhe Mbretëresha Letizia e kanë vizituar Paiportan, njërën prej qytezave të prekura më së keqi.

Të shtunën, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka urdhëruar angazhimin e 10.000 ushtarëve dhe policëve shtesë në zonën e prekur nga vërshimet.

Ai ka thënë se ky është angazhimi më i madh ushtarak në Spanjë në kohë paqeje.

Mirëpo, ai ka deklaruar se është i vetëdijshëm që përgjigjja nuk ka qenë “e mjaftueshme” dhe i ka pranuar “problemet e mëdha dhe mungesat”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG