Ndërlidhjet

Charles III kurorëzohet si mbret i Mbretërisë së Bashkuar


Charles III dhe gruaja e tij Camilla, në ceremoninë e kurorëzimit si mbret dhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar. 6 maj 2023.
Charles III dhe gruaja e tij Camilla, në ceremoninë e kurorëzimit si mbret dhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar. 6 maj 2023.

Charles III është kurorëzuar të shtunën si mbret i Mbretërisë së Bashkuar, përmes një ceremonie solemne, që 1.000 vjet.

Në të njëjtën ceremoni, gruaja e tij Camilla, është shpallur mbretëreshë.

Kurora e Shën Eduardit – një simbol i artë i monarkisë – është vendosur në kokën e Charles III, për vetëm pak minuta, nën thirrjet “Zot, ruaje mbretin”.

Himnet janë kënduar në kishën Westminster Abbey të Londrës, ndërsa jashtë janë dëgjuar të shtëna armësh dhe fishekzjarre tjera, për të shënuar kurorëzimin e parë të një monarku britanik prej vitit 1953.

Zilet janë dëgjuar nëpër të gjitha kishat e Britanisë, kur ka nisur ceremonia.

Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla, do të kthehen, pas ceremonisë, në Pallatin Buckingham, për të parakaluar para turmave të mëdha të njerëzve.

Ky kurorëzim – i pari i një burri, prej vitit 1937 – përbën vetëm ceremoninë e dytë të tillë, që transmetohet në një televizion me ngjyra.

Charles, 74-vjeçar, e ka marrë titullin e mbretit, pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeta II, në shtator të vitit të kaluar.

Ajo ka shërbyer shtatë dekada si mbretëreshë.

Reagimet mbi ceremoninë

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, e ka përshkruar ceremoninë e kurorëzimit si “moment krenar të historisë, kulturës dhe traditave tona”.

“Moment i jashtëzakonshëm i krenarisë kombëtare”, ka thënë ai.

Mirëpo, jo të gjithë mendojnë kështu.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka uruar mbretin Charles III dhe mbretëreshën Camilla, për titujt e rinj, dhe e ka lavdëruar “shoqërinë në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”.

Përmes një postimi në Twitter, Biden e ka quajtur partneritetin mes dy shteteve si “burim të forcës për dy popujt”, dhe ka shtuar se është krenar që Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, “është duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në këtë moment historik”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka konsideruar ceremoninë e 6 majit si “testament të forcës së monarkisë britanike”.

“Simbol i stabilitetit dhe vazhdimësisë. Përgëzimet e mia për mbretin Charles III dhe mbretëreshën Camilla”, ka thënë von der Leyen në Twitter.

Por, sondazhet e kryera në mesin e britanikëve të rinj tregojnë se emocionet ndaj mbretërisë janë të zbehura.

Ata kërkojnë që mbretëria të modernizohet, apo edhe të mos ekzistojë më fare.

Republikanët, të cilët duan një udhëheqës shtetëror, të zgjedhur prej popullit, kanë protestuar me mbishkrimet “Jo mbreti im”.

Thirrjet kundër monarkisë.
Thirrjet kundër monarkisë.

Në 14 shtetet tjera, ku Charles do të jetë mbret, përveç Britanisë, pamja duket, po ashtu, e zymtë.

Xhamajka dhe Belize kanë dhënë shenja këtë javë se do të çojnë përpara idenë e shndërrimit në republika, derisa edhe Australia e Kanadaja do të mund të ndjekin atë hap.

Aktualisht, britanikët janë duke u përballur me rritje të çmimeve të jetesës, prandaj edhe pyesin pse taksapaguesit duhet të kenë barrë shpenzimet e kurorëzimit, i cili besohet se do të kushtojë mbi 100 milionë funta.

Mbështetja

Megjithatë, turma të mëdha njerëzish janë mbledhur jashtë Pallatit Buckingham, gjatë gjithë javës.

Për një pjesë të britanikëve, familja mbretërore ka rol qendror në kulturën dhe historinë britanike.

Kurorëzimi do të ketë në qendër tri ngjarje kryesore, përfshirë një koncert në Kështjellën Windsor, në perëndim të Londrës, në mbrëmjen e së dielës.

“Jam shumë e emocionuar”, ka thënë Karen Chamberlain, 57-vjeçare, e cila është duke fjetur jashtë që disa ditë, për të ruajtur një vend në zonën ku do të parakalojë mbreti.

“Askush prej nesh nuk e ka përjetuar kurorëzimin. Nëna ime ka ardhur në Londër më 1953. Duke qenë këtu, unë tregoj se jam krenare për monarkinë”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Në ceremoninë e kurorëzimit do të marrin pjesë mbi 2.300 mysafirë, përfshirë Princin Harry dhe Dukeshën e Saseksit.

Në mesin e figurave të njohura botërore janë: Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, presidenti i Francës, Emmnauel Macron, dhe shumë të tjerë.

Autoritetet e sigurisë kanë ashpërsuar masat e sigurisë në qendër të Londrës, pasi në ceremoni pritet të marrin pjesë mbi 100 liderë botërorë.

Sipas autoriteteve, më shumë se 11.500 zyrtarë policorë do të garantojnë sigurinë, të shtunën, në kryeqytetin britanik.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG