Ndërlidhjet

Mbi 78 për qind e mjekëve në Kosovë, kanë përjetuar sulme fizike apo verbale


Ilustrim
Ilustrim

Sulmet ndaj stafit shëndetësor në Kosovë nuk janë të rralla. Oda e Mjekëve ka zhvilluar një anketë, ku sipas këtij institucioni del se mbi 78 për qind e mjekëve të anketuar, kanë përjetuar ndonjë lloj sulmi, qoftë verbal apo fizik gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, mbi 97 për qind e rasteve të sulmeve kanë ndodhur brenda institucioneve shëndetësore, derisa 2.7 për qind jashtë tyre.

Kosova nuk ka ligj që i mbron mjekët në rast të sulmeve fizike të cilat kryesisht ndodhin nga familjarët e pacientëve.

Profesionistët shëndetësorë thonë se sulmet fizike janë të patolerueshme. Ata kërkojnë mbrojtje institucionale.

Rasti i fundit ka ndodhur më 25 mars të këtij viti në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ku pas konstatimit të vdekjes së një pacienti, mjeku është sulmuar fizikisht nga familjarët.

Zyrtarja ligjore në Odën e Mjekëve, Betime Baftiu, i tha Radios Evropa e Lirë se si Odë e Mjekëve tashmë ka nisur një iniciativë për ta bërë ligjin që mbron mjekun në vendin e punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Megjithatë ajo shton se aktualisht nuk ka një ligj të tillë.

“Është Kodi Penal që i sanksionon veprat penale, por ligj që i mbron mjekët nga sulmet gjatë ushtrimit të veprimtarisë nuk ka. Ne si Odë, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kemi marrë iniciativë që ta iniciojmë një ligj të tillë, por që ai sigurisht se merr kohë. Andaj, aktualisht nuk ka diçka konkrete që mbron mjekët gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Baftiu.

Në anën tjetër, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës në Qendrën Klinike Universitare, thotë se sulmet ndaj mantelbardhëve duhet të sanksionohen me ligj. Ai shton se mjekët do duhej të jenë të sigurt në vendin e tyre të punës në mënyrë që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime, duke pasur parasysh misionin e tyre human.

“Shpesh ndodhin sulme ndaj mjekëve, ka sulme verbale, por edhe fizike e që mendoj se shteti duhet t’i ndalojë në mënyrë ligjore. Sidomos qendra emergjente është ajo që ballafaqohet më së shumti me problematika të tilla. Kjo ndodh shpesh edhe për shkak të mungesës së barnave dhe materialit shpenzues e që më pas dalin probleme nga familjarët e pacientëve, e edhe deri tek sulmi fizik. Andaj duhet të krijohen kushte ligjore në mënyrë që mjeku të mbrohet në vendin e punës”, tha Selmani.

Ndërkaq, Basri Lenjani, udhëheqës i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tashmë ka thënë se sulmet fizike janë të shëmtuara dhe ato nuk do të duhej të jenë pjesë e institucioneve shëndetësore.

”Në Qendrën Emergjente, rastet e tentimit të goditjeve, sharjeve, fyerjeve, ofendimeve, janë traditë e zakonshme. Sulmi ndaj mjekëve është një ngjarje e shëmtuar dhe të gjithë mjekët e dënojnë një akt të tillë. Pavarësisht angazhimeve të mëdha që kemi, ne kemi arritur t’i ndalojmë rastet e tilla falë edhe Policisë së Kosovës. Ne po kërkojmë mbrojtje institucionale”, ka thënë Lenjani.

Mantelbardhët, për sulm fizik ndaj tyre kanë shprehur pakënaqësinë duke mbajtur edhe protesta para objekteve ku punojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG