Inspektorati i tregut në Kosovë ka gjobitur më shumë se 30 biznese, të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit,
Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më parë, kishte obliguar subjektet afariste që t'i vendosin flamurin e origjinës së produktit në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.
Kryeinspektori i tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për vendosjen e flamujve të origjinës po respektohet në përqindje të lartë nga bizneset, porse ende ka raste kur disa subjekte afariste nuk zbatojnë një vendim të tillë.
“Vendosja e flamujve të origjinës së produktit po realizohet si proces në afër 100 për qind. Ne, gjatë javës, kemi pasur inspektime shtesë në gjithë territorin e Kosovës, kemi hasur te disa biznese që nuk i kanë vendosur flamujt dhe ne, si Inspektorat, i kemi marrë masat dhe bizneset ekonomike i kemi gjobitur. Sa i përket numrit janë mbi 30 biznese që janë dënuar dhe disa prej tyre lënda iu është dërguar në gjykatë”, thotë Syla.
Ai shton se gjoba për subjektet afariste, të cilat nuk i vendosin flamujt e origjinë së produktit apo për ndërrim të flamujve të origjinës së produktit, janë nga 1000 mijë euro deri në 20 mijë euro.
Kohë më parë Radio Evropa e Lirë kishte evidentuar një rast në një dyqan në Prishtinë kur flamuri i Kosovës ishte i vendosur te produkti, i cili ishte brend ndërkombëtar, por që prodhohet në Serbi.
Për të gjitha këto raste të tilla, Syla thotë se janë marrë veprimet e nevojshme.
“Kur kemi hasur në raste të ndryshimeve të flamujve rastet i kemi dërguar në gjykatat kompetente. Për evidentimin e rasteve të tilla jemi ndihmuar shumë nga mediat dhe konsumatorët, të cilat sapo kanë hasur në raste të tilla na kanë lajmëruar dhe ne kemi marrë masat e nevojshme”, sqaron Syla.
Udhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit pati hyrë në fuqi pak kohë pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Vendosja e taksës 100 për qind vazhdon të jetë në fuqi. Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin apo anulimin e kësaj takse.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospërputhja e flamurit të shtetit me origjinën e produktit, në të shumtën e rasteve ka ndodhur kur bëhej fjalë për prodhimet nga Serbia.
Mirëpo, sipas tij, vendimi për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit ka pasur një ndikim të madh në treg. Ai thotë se konsumatorët tani janë më të vetëdijshëm se produktet e cilit vend i konsumojnë.
“Nga hulumtimet që i kemi bërë në treg, kemi parë se vendimi për vendosjen e flamujve, ka pasur një efekt ashtu sa ka pasur edhe taksa 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo ka bërë që qytetarët, të cilët në të kaluarën kanë marrë produktin pa e lexuar prej nga e ka origjinën, tani e shohim qysh në momentin kur e marrin atë. Kjo ka ndikuar që qytetarët të vetëdijesohen dhe të blejnë edhe produktet vendore. Tregtarët në disa raste po tentojnë të falsifikojnë disa produkte duke i vendosur afër flamujve të vendeve tjera. Ka raste kur vendoset flamuri i shtetit shqiptar te produktet e një vendi tjetër”, thotë Shahini.
Sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset në anën e majtë të çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit.
Madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit, duhet të jetë në madhësi proporcionale me çmimin e produktit.