Ndërlidhjet

Mbi 22 miliardë euro dëme të luftës


Pamje nga një shkollë e shkatërruar gjatë luftës në fshatin Tërstenik të komunës së Drenasit.
Pamje nga një shkollë e shkatërruar gjatë luftës në fshatin Tërstenik të komunës së Drenasit.

Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë zyrtarë të qeverisë dhe analistë në Prishtinë.

Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tani nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërkaq sipas analistëve, në agjendën e bisedimeve duhet patjetër të diskutohet edhe për dëmet e luftës.

Edhe pse kjo çështje nuk është trajtuar në bisedimet në Bruksel, kjo temë ishte ngritur një herë në procesin e negociatave të Vjenës, që janë mbajtur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, kjo temë qe mbyllur menjëherë, pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar.

Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest”, ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë.

Mustafa, tashme këshilltar i lartë në këtë institut, thotë se është kërkuar që kjo çështje të trajtohet edhe në bisedimet që janë zhvilluar në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në procesin e dialogut që ka filluar nga viti 2011.

Ai thotë se për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, nevojitet që Serbia të kompensojë dëmet e luftës.

“Ekipi i ekspertëve që kam udhëhequr unë në atë kohë, ka bërë një vlerësim të dëmeve të luftës për sektorë të ndryshëm, e që vlera ka arritur në mbi 22 miliardë euro. E tash natyrisht për t’u krijuar një pajtim, dhe për të parë që Serbia me të vërtet dëshiron që të lë prapa vetës politikën e (Sllobodan) Millosheviqit, ajo duhet të jetë e gatshme që të spastrojë llogaritë dhe dëmet ekonomike në pronën private dhe dëmet tjera që i ka shkaktuar Kosovës me qeverisjen e saj dhe luftën shfarosëse që ka zhvilluar ndaj shqiptarëve”.

“Unë personalisht mendoj se për një pastrim të llogarive, për një pajtim, krahas kërkimit të faljes për dëmet, ato dëme duhet të zhdëmtohen”, thotë Mustafa.

(Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën në Kosovë)

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, i cili në atë kohë ka qenë pjesë e ekipit në Vjenës, thotë se faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka hezituar që kjo çështje të trajtohet.

Por, Shatri thotë se kompensimi i dëmeve të luftës gjithsesi duhet të trajtohet në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel.

“Mendoj se delegacioni i Kosovës në agjendën e bisedimeve në këtë fazë të renditë edhe këtë çështje si pikë e veçantë të bisedimeve me palën serbe,” tha Shatri.

Muhamet Mustafa shprehet se Republika e Kosovës nuk duhet të heqë dorë nga shpagimi i dëmeve të luftës. Ai konsideron se edhe pas përmbylljes se negociatave, Kosova duhet të padisë Serbinë për dëmet e luftës.

“Natyrisht, që Kosova duhet të sheh edhe mundësitë tjera. Ndonëse, Kosova ende nuk është anëtare e Gjykatave Ndërkombëtare, për shkak të pozitës se saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por nuk është se nuk ka ndonjë hapësirë. Mendoj se Kosova duhet të trajtojë, duhet të angazhojë ekipe të ekspertësh për të parë se si në mënyrën më të mirë dhe në vendin më adekuat mund të bëhet dhe të ekzekutohet kjo padi,” tha Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovë, ndërkaq më herët patën deklaruar se padia do të ngrihej kur Kosova do të mund ta bënte këtë si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG