Ndërlidhjet

Edhe 182 milionë euro për biznese


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Mbi 182 milionë euro ka paraparë Qeveria e Kosovës në Projektbuxhetin për vitin 2021, në Programin për rimëkëmbje ekonomike, që ka për qëllim përkrahjen e bizneseve që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, tha zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.

Nga vlera e përgjithshme prej 182 milionë eurove, pjesa më e madhe, sipas Krasniqit, është dedikuar për kategorinë subvencione dhe transfere, që përbën 54 për qind ose 114 milionë euro dhe për shëndetësi 30 milionë euro. Shuma të tjera do të ndahen për komuna, investime kapitale dhe të tjera.

Por, përfaqësuesit e subjekteve ekonomike në Kosovë, Agim Shahini dhe Berat Rukiqi, theksojnë se shuma e mjeteve është e pamjaftueshme, por megjithatë kërkojnë që shpërndarja të realizohet në rastin më të shpejtë, pas miratimit të Projektbuxhetit.

Qeveria e Kosovës, më 30 tetor ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2021, në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh, i cili do të ketë në fokus sektorin e shëndetësisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është fundi i dhjetorit (31 dhjetor). Projektbuxheti për vitin 2021 gjendet për shqyrtim në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvendit të Kosovës.

Nëse Projektbuxheti miratohet gjatë kësaj periudhe, Krasniqi thotë se shpërndarja e mjeteve do të ndodhë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Cilat biznese duhet të përfitojnë?

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se vlera e humbjeve ekonomike te bizneset është më e madhe sesa mbështetja e qeverisë. Megjithatë, Shahini thotë se prioritet për ndihmë financiare duhet të kenë bizneset që nuk kanë pasur qarkullim gjatë periudhës së karantinës.

“Në të ardhmen duhet të klasifikohen bizneset, ato që kanë punuar gjatë gjithë kohës, për shembull marketet e mëdha, barnatoret, furrtarët, ata nuk kanë pasur nevojë për mbështetje, përkundrazi kanë pasur rritje të vëllimit të punës, pasi qytetarët janë furnizuar më shumë me produktet e tyre. Por, duhet të përkrahen kompanitë që gjatë pandemisë nuk kanë pasur aktivitet për shkak të kufizimeve të lëvizjes”, tha Shahini.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ndërkaq vlerëson se të gjitha bizneset kanë pësuar humbje për shkak të pandemisë.

“Kur të ndahen këto mjete, duhet pasur parasysh se të gjitha bizneset janë dëmtuar nga pandemia dhe të gjitha kompanitë edhe duhet të përfitojnë, qoftë ndonjë shumë për punëtorë, qiranë, etj”, tha Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa për sektorët që kanë qenë të mbyllura gjatë kohës kur kanë qenë në fuqi masat për kufizim të lëvizjes se lirë, (mars-prill), Rukiqi shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë për masa të veçanta.

“Për sektorë të caktuar, si gastronomia, turizmi, hoteleria duhet të mendohen masa të veçanta, që mund të jenë në formë të faljes së tatimeve, mbulim i normave të interesit, e kështu me radhë”, thekson ai.

Qeveria duhet të gjejë forma tjera të subvencionimit

Në mungesë të mjeteve të mjaftueshme të qeverisë për të ndihmuar bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia, Shahini thotë se ka forma të tjera për përkrahjen e tyre.

“Në mungesë të fondeve, ka mundësi të tjera të subvencionimit, si duke shtyrë afatin e kredive, duke e marrë përsipër qeveria këtë çështje në koordinim me bankat komerciale, duke i falur atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë borxhet publike, duke mos i ngarkuar me ndëshkime. Në këtë formë, qeveria do të mund të mbështesë edhe pa fonde shtesë”, thekson Shahini.

Edhe Rukiqi thotë se rimëkëmbja ekonomike e bizneseve nuk varet vetëm nga shumat që ndahen drejtpërsëdrejti në formë të financimit të bizneseve, por edhe nga format tjera.

“Varet edhe nga projektet kapitale, varet nga shumë faktorë të tjerë, varet edhe nga lehtësirat tatimore që krijohen. Fokusi duhet jetë te mënyra e ndarjes së mjeteve tek ajo se çka është prioritet. Këto shuma nuk janë të mjaftueshme, por në anën tjetër ajo që po përsëritet që nga fillimi i pandemisë, mjetet po vonohen”, thekson Rukiqi.

Në Projektbuxhetin për vitin 2021, thuhet se burimet për financimin e Programit të rimëkëmbjes ekonomike dhe masave emergjente, janë përmes huamarrjes, ndihma makro-financiare për Kosovën nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 50 milionë euro, kredi për Kosovën nga Banka Botërore në vlerë prej 45 milionë euro, kurse pjesa tjetër thuhet se do të financohet nga granti qeveritar.

Bizneset në Kosovë kanë raportuar humbje të mëdha financiare për shkak të pandemisë. Humbjet më të mëdha janë raportuar në muajit mars dhe prill, ku për shkak të masave kufizuese të lëvizjes, disa sektorë kanë qenë komplet të mbyllur, kurse disa kanë punuar me gjysmën e kapaciteteve prodhuese.

Kurse, nga muaji maji, qeveria ka lejuar lëvizjet dhe zhvillimin e bizneseve, por me masa kufizimi dhe duke respektuar masat mbrojtëse, si distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

Masat aktuale në fuqi, janë ndarë në komuna, të përcaktuara varësisht nga numri i të infektuarve.

Në komunat e Kosovës, që gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 deri në orën 05:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve.

Kurse në komunat që bëjnë pjesë në zonën e zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Mund të punohet me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët, të cilave u lejohet të punojnë deri në orën 20:00. Edhe këto masa, sipas komunitetit të biznesit, paraqesin humbje te kompanitë.

Vlera e humbjeve të përgjithshme që nga shpallja e pandemisë e deri më tani, sipas përfaqësueseve të bizneseve, arrin në mbi një miliard euro.

Për të rikuperuar këto humbjet dhe për të mbajtur punëtorët në punë, bizneset në nivel vendi janë ndihmuar nga Fondi për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës.

Nga ky Fond janë ndarë 60 milionë euro, kurse bizneset kanë përfituar varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në muajin dhjetor të vitit 2019.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG