Izraeli regjistroi mbi 10,000 raste të reja me koronavirus, për herë të parë qysh në mes të janarit.
Ministria e Shëndetësisë raportoi të mërkurën vonë se 10,001 rastet e reja u regjistruan në 24 orët paraprake.
Në këtë periudhë, 25 pacientë humbën jetën nga koronavirusi.
Që nga fillimi i pandemisë në pranverën e vitit 2020, në Izrael - vend me 9.4 milionë banorë - janë infektuar pak mbi një milion njerëz.
Fushata e vaksinimit atje ka nisur qysh në dhjetor të vitit të kaluar.
Pothuajse 59 për qind e popullsisë është vaksinuar dy herë dhe pothuajse 19 për qind tri herë.
Izraeli mbështetet pothuajse plotësisht në vaksinën Pfizer/BioNTech.
Në fund të korrikut, ai është bërë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin me dozën e tretë, për të rritur reagimin e antitrupave.
Masa është marrë pasi të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë kanë treguar rënie të mprehtë të efektivitetit të vaksinës në parandalimin e infeksionit, edhe pse ajo vazhdon të ofrojë mbrojtje të madhe nga të sëmurit rëndë.
Disa vende të tjera kanë nisur të ndjekin shembullin e Izraelit sa i përket dozës së tretë.