Ndërlidhjet

Mbi 100 të vdekur nga aksidentet në trafik


Mbi 100 të vdekur në aksidentet në komunikacion
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Aksidentet e shumta me fatalitet në Kosovë kanë krijuar një gjendje të jashtëzakonshme në komunikacionin rrugor, thonë autoritetet e rendit.

Nga numri i madh i aksidenteve gjatë periudhës janar – nëntor, 119 veta kanë humbur jetën si pasojë e tyre. Këto shifra shënojnë rritje mbi 22 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kështu kanë thënë autoritetet e rendit, sipas të cilëve 5816 persona kanë pësuar lëndime trupore në aksidente komunikacioni.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se autoritete e rendit, referuar situatës së krijuar që po përcillet me humbje të jetëve të njerëzve në trafik, kohë më parë ka marrë masa shtesë me krijimin e një task force, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore.

Sipas Policisë, aktualisht është duke u zbatuar masa zero-tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik.

“Vlen të potencohet se aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve më të shpeshtë të aksidenteve me pasoja fatale”, tha Hoxha.

Ndryshe, gjatë këtij viti janë shqiptuar 371.976 tiketa për ngasësit e automjeteve.

Në anën tjetër, në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë vdekur 21 persona të aksidentuar, përkundër angazhimit të gjithë stafit për të shpëtuar jetët e tyre. Kështu tha Basri Lenjani, drejtor në këtë Klinikë.

“Mbi 55 mijë raste sa kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kurse aksidente në komunikacion kemi pasur 5 mijë e 870. Në mesin e këtyre kanë qenë 21 të vdekur në Klinikën Emergjente. Është shtuar numri i të aksidentuarve si dhe të lënduarve në komunikacion”.

“Përkundër kësaj, Klinika Emergjente ka ofruar shërbime për mbështetje bazike, por edhe për ato të avancuara të shërbimeve mjekësore”, tha Lenjani.

Ekspertët e komunikacionit e vlerësojnë gjithë situatën si mjaft shqetësuese, ku sipas tyre ndër arsyet e shtimit të numrit të aksidenteve ka qenë edhe shtimi i numrit të automjeteve në komunikacion. Kështu tha Muhamet Krasniqi, ekspert për çështje të komunikacionit.

“Nëse e krahasojmë periudhën e vitit të kaluar me këtë vit, kemi një rritje të aksidenteve me fatalitet. Ndër arsyet janë edhe rritja e numrit të automjeteve dhe njësive motorike, për shkak se nëse krahasohet me vitin e kaluar, këtë vit kemi 5 mijë e 600 mjete motorike më shumë në Kosovë. Gjithashtu, shtimi i numrit të shoferëve të rinj mund të jetë shkak i rritjes së aksidenteve”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, ka edhe shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve, siç janë, mosrespektimi i rregullave të trafikut dhe tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i telefonave mobil gjatë ngasjes, faktorë këta që ulin sigurinë e gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

“Mendoj se duhet një model i ri i menaxhimit të trafikut konform këtyre kushteve dhe rrethanave të reja”, tha Krasniqi.

Ndryshe, ligji i ri për trafikun rrugor që nga viti i kaluar ka hyrë në fuqi, derisa zyrtarë të kësaj fushe kanë deklaruar se përveç shqiptimit të pikëve negative, dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut do të jenë nga 300 deri në 900 euro, dhe në raste të caktuara edhe me marrjen e patentë shoferit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG