Sam Bankman-Fried, themeluesit të kompanisë për këmbimin e kriptovalutave, FTX, i është mohuar lirimi me kusht, thanë autoritetet gjyqësore në Bahama.
Autoritetet amerikane e kanë akuzuar Bankman-Fried se ka kryer “një prej mashtrimeve më të mëdha financiare në historinë amerikane”.
Ish-shefi i FTX-it ka ndërtuar një “shtëpi prej letrash bazuar në mashtrime”, tha kryetari i Agjencisë federale për Mbikëqyrjen e Tregjeve dhe Këmbimit të Aksioneve, Gary Gensler.
Bankman-Fried ka lënë të kuptohet se do të luftojë ekstradimin e tij në SHBA nga Bahama, pasi u arrestua në këtë shtet të Karaibeve të hënën, raportoi BBC.
Ndërkaq, Reuters ka hedhur më shumë dritë se si Bankman-Fried, që udhëhoqi kompaninë FTX – kompani që ka shpallur falimentimin – ka kryer mashtrime.
Në mesin e vitit 2020, shefi i inxhinierëve të FTX-it ka bërë një ndryshim sekret të softuerit të këmbimit të kriptovalutave.
Ai ka ndryshuar një kod për të përjashtuar Alameda Research, një fond financiar në pronësi të Sam Bankman-Fried, nga një veçori e platformës tregtuese që i lejonte kompanisë të shiste menjëherë asetet e Alamedas, nëse po humbiste shumë para të huazuara.
Në një letër, ku shpjegohej ky ndryshim, inxhinieri Nishad Sigh, theksoi se FTX asnjëherë nuk duhet të shesë asetet e Alamedas.
“Jini të kujdesshëm që të mos ketë likuidim”, shkroi Singh në letrën ku shpjegoi ndryshimin e kodit të platformës, në të cilën ka pasur qasje agjencia Reuters.
Ky ndryshim i ka lejuar Alamedas që të vazhdonte të huazonte para nga FTX, pavarësisht nga vlera e kolateralit që siguronin këto kredi. Ky ndryshim u vërejt nga Agjencia federale për Mbikëqyrjen e Tregjeve dhe Këmbimit të Aksioneve, institucion që ngriti akuzën ndaj Bankman-Fried për mashtrim. Kjo agjenci tha se ky ndryshim i kodit nënkuptonte që Alameda “kishte mundësi të merrte kredi deri në pafundësi”. Për më tepër, miliarda dollarë që FTX në mënyrë të fshehtë ia huazoi Alamedas gjatë dy viteve pasuese, nuk u morën nga rezervat e kompanisë, por nga depozitat e klientëve të FTX, tha agjencia amerikane.
Zëdhënësi i Agjencisë federale për mbikëqyrjen e Tregjeve dhe Këmbimit të Aksioneve, nuk pranoi që të komentonte për këtë ngjarje. As Sighn nuk ka pranuar që të flasë për këtë ndryshim të kodit.
Agjencia amerikane, që e cilësoi këtë si “shtëpi prej letrash”, pretendoi se Bankman-Fried ka dërguar fondet e klientëve tek Alameda, në mënyrë që të bënte investime të fshehta, të blinte prona të patundshme luksoze dhe të bënte donacione politike.
Prokurorët amerikanë dhe Komisioni i Tregtisë dhe Mallrave po ashtu ka ngritur një padi të ndarë penale dhe civile.
Në padi po ashtu jepen edhe detaje të tjera se si Bankman-Fried kishte përdorur paratë e klientëve dhe kishte shpenzuar miliarda, më shumë sesa fitonte FTX. Këto veprime ai i kishte bërë pa dijeninë e investitorëve, klientëve të tij dhe shumicës së punëtorëve të kompanisë.
Policia në Bahama, ku ka selinë FTX, arrestoi miliarderin 30-vjeçar Bankman-Fried të hënën. Kompania e tij shpalli falimentimin në nëntor, pasi përdoruesit e kompanisë nisën të tërhiqnin depozitat dhe investitorët refuzuan kërkesat e tij për më shumë financime.
FTX shpalli falimentimin më 11 nëntor dhe Bankman-Fried dha dorëheqje nga posti i shefit ekzekutiv. Ai u kërkoi falje klinetëve dhe tha se nuk mendon se personalisht ka bërë ndonjë shkelje penale.
Përjashtimi automatik për likuidim, që thuhet në letër, i mundësoi FTX-it që t’i lejonte fondit Alameda që vazhdonte të rriste nivelin e kredive deri kur “arriti në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh dhe përfundimisht u bë pa kufizime”, thuhet në akuzën e Agjencisë për Mbikëqyrjen e Aksioneve. Kjo ishte një prej dy mënyrave që Bankman-Fried përdorte për të ridrejtuar paratë e konsumatorëve tek Alameda.
Mënyra tjetër ishte përmes një mekanizmi ku konsumatorët e FTX kanë depozituar mbi 8 miliardë dollarë para tradicionale në llogari bankare, që fshehtazi kontrolloheshin nga Alameda. Këto depozita më pas reflektoheshin në llogaritë e brendshme të FTX-së që nuk ishin të lidhura me Alamedan, për të fshehur përgjegjësinë, thuhej në padi.
FTX u shndërrua në kompaninë e dytë më të madhe në botë e këmbimit të kriptovalutave, duke tregtuar rreth 10 miliardë kriptovaluta në ditë.
Por, më 11 nëntor FTX paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi pasi përdoruesit e kompanisë tërhoqën 6 miliardë dollarë brenda tri ditësh nga kjo platformë dhe kompania rivale, Binance, u tërhoq nga një marrëveshje që do ta shpëtonte FTX-in nga falimentimi.