Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji, të dyshuarit të pestë për dhunimin e një 11-vjeçareje ditë më parë në kryeqytetin e Kosovës.
I pandehuri me inicialet SH.K është ndaluar nga Policia e Kosovës pak kohë pas raportimit të rastit te autoritetet e sigurisë.
Masë e njëjtë e paraburgimit prej një muaji u është caktuar edhe katër të dyshuarve të tjerë me inicialet: G.R, G.J, XH.S dhe E.R.
Rasti i dhunimit dyshohet se është kryer në një park të qytetit më 27 gusht.
Shoqëria civile dhe shumë qytetarë kanë shprehur mllef lidhur me këtë rast dhe më 30 e 31 gusht janë organizuar dy protesta në Prishtinë me kërkesa për mbrojtje të grave dhe luftim të dhunës ndaj tyre.
Me thirrje të ngjashme është protestuar edhe verën e kaluar.
Asokohe, shkas është bërë vrasja e një 18-vjeçareje në Ferizaj, pas dyshimeve se është dhunuar në mënyrë sistematike.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë për dhjetëra raste të dhunës seksuale, të raportuara çdo vit.
Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajza të moshës 13 deri në 16-vjeçare.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për
dhunime e sulmet tjera seksuale.