Ndërlidhjet

Mijëra izraelitë marshojnë kundër projektligjit për gjyqësorin


Fotografi nga protestat në Izrael.
Fotografi nga protestat në Izrael.

Mijëra izraelitë u bashkuan në një marshim nga Tel Avivi në Jerusalem të premten, në shenjë proteste pasi kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se do të shtyjë përpara një projektligj që synon të kufizojë autoritetin e Gjykatës së Lartë.

Protesta filloi me qindra demonstrues, por me kalimin e ditës, numri u rrit në mijëra, me izraelitë nga rajone të ndryshme që u bashkuan. Marshimi mbuloi një distancë prej rreth 70 kilometrash dhe shërbeu si një protestë e fuqishme kundër asaj që shumë e konsiderojnë si një nga qeveritë më të djathta të historisë së Izraelit.

Protesuesit kanë planifikuar të kalojnë natën në një kamp në Shoresh, rreth 18 kilometra nga Jerusalemi, përpara se të nisen në drejtim të parlamentit të Izraelit të shtunën, ditën e shenjtë hebraike të Shabatit.

Kjo protestë vjen vetëm një ditë pasi Netanyahu deklaroi vendosmërinë e tij për të çuar përpara projektligjin.

Pavarësisht përballjes së kundërshtimit nga protestuesit, rritjes së numrit të rezervistëve ushtarakë që dezertojnë dhe apeleve nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden për të rishqyrtuar planin, Netanyahu këmbëngul të vazhdojë me planin.

Ligjvënësit pritet të votojnë të hënën këtë projektligj, i cili do të kufizojë kompetencat mbikëqyrëse të Gjykatës së Lartë duke kufizuar atë që të rrëzojë vendimet që i konsideron "të paarsyeshme".

Netanyahu dhe aleatët e tij – një grumbullim partish ultranacionaliste dhe ultra-ortodokse – thonë se plani është i nevojshëm për të frenuar atë që ata i konsiderojnë fuqi të tepërta të gjyqtarëve të pazgjedhur nga populli.

Kritikët thonë se legjislacioni do të përqendrojë pushtetin në duart e Netanyahut dhe aleatëve të tij të ekstremit të djathtë dhe do të minojë sistemin e kontrollit dhe ekuilibrit të vendit.

Plani për rishikimin e sistemit gjyqësor të Izraelit u njoftua menjëherë pasi Netanyahu mori detyrën si kryeministër pas zgjedhjeve parlamentare të nëntorit.

Presidentët e universiteteve të mëdha izraelite thanë se do të zhvillonin një grevë të dielën për të protestuar ndaj projektligjit, njoftuan mediat lokale.

Mjekët mbajtën një "grevë paralajmëruese" dy orëshe të mërkurën për të protestuar kundër tij.

Ata u zotuan për masa më të ashpra nëse projektligji votohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG