Ndërlidhjet

Nis Marshi i Paqes në kujtim të viktimave të Srebrenicës


Marshi i Paqes në Bosnje e Hercegovinë, 8 korrik 2022.
Marshi i Paqes në Bosnje e Hercegovinë, 8 korrik 2022.

Në Bosnje e Hercegovinë nisi të premten Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Gjatë tri ditëve të ardhshme, pjesëmarrësit do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kanë kaluar në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.

Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 27-vjetori i masakrës.

Atë ditë do të rivarrosen mbetjet e 50 viktimave të masakrës, të gjetura së voni.

Qendra përkujtimore Potoçari, ku janë të varrosura viktimat e masakrës së Srebrenicës.
Qendra përkujtimore Potoçari, ku janë të varrosura viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG