Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, u mbajtën marshe kundër dhunës ndaj grave. Motoja e protestës së përvitshme “Marshojmë S’festojmë” ishte “Drejtësi për gratë e vrara”. Sipas organizatorëve të këtij marshi protestues, nga viti 2010, 48 gra janë vrarë nga burrat në Kosovë. Pjesëmarrësit thanë se sistemi i drejtësisë është bashkëfajtorë, pasi siç argumentuan, ndaj burrave që po kryejnë vrasje të grave, drejtësia po shqipton dënime të ulëta.