Ndërlidhjet

Çfarë parasheh marrëveshja tregtare BE-Britani e Madhe?


Mbështetësit e Brexit-it gjatë festimit në Sheshin e Parlamentit në Londër më 31 janar, 2020, ditën kur Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Mbështetësit e Brexit-it gjatë festimit në Sheshin e Parlamentit në Londër më 31 janar, 2020, ditën kur Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Negociatorët britanikë dhe ata të Bashkimit Evropian nënshkruan një marrëveshje tregtare pas Brexit-it të enjten, vetëm një javë para se Mbretëria e Bashkuar të dalë përfundimisht nga blloku 27-vendesh, njëherësh partneri i saj më i madh tregtar.

Agjencia Reuters sjellë përmes pesë pyetjeve, përgjigjet e gjithë këtij procesi.

Çfarë është Brexit-i?

Brexit - ose dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja - i referohet procesit të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian pas 47 vjetësh në aleancën ekonomike dhe politike të vendeve evropiane të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas një referendumi me rezultat me 52-48 për qind, në qershor të vitit 2016, Britania e Madhe u bë vendi i parë që u largua nga BE-ja, një bashkim me tani gati 450 milionë qytetarë që shtrihet nga Atlantiku, në kufijtë e Rusisë dhe Turqisë.

Video nga arkivi:

Largimi zyrtar i Britanisë së Madhe më 31 janar 2020 u paraqit nga mbështetësit e tij si një rikuperim i sovranitetit politik për vendin me 66 milionë banorë.

Kundërshtarët e panë atë si një pengesë historike të integrimit evropian që mund të shkaktojë dëme të papara ekonomike dhe të rrezikojë luftë të re në kufirin irlandez, kufiri i vetëm tokësor midis bllokut dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Që nga largimi zyrtar, Londra ka ndjekur rregulla të bashkëpunimit të ngushtë në gjitha aspektet, duke filluar nga tregtia deri te shkëmbimet studentore. Por, kjo fazë e tranzicionit, skadon në mesnatën e 31 dhjetorit.

Cilat aspekte i mbulon marrëveshja tregtare?

Të dyja palët kanë zhvilluar negociata të vështira dhe komplekse që nga muaji mars, në përpjekje për të ruajtur tregtinë e tyre të mallrave nga 1 janari, 2021.

Marrëveshja e shpallur të enjten do të thotë se kjo tregti e mallrave - afërsisht gjysma e 900 miliardë dollarëve të tregtisë vjetore BE-Mbretëri e Bashkuar - do të vazhdojë të zhvillohet pa tarifa dhe kuota të ndërsjella.

Sidoqoftë, mallrat që lëvizin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së do t'i nënshtrohen doganave dhe kontrolleve të tjera. Kërkesat për dokumente shtesë pritet të shkaktojnë çrregullime të mëdha.

Marrëveshja u negociua pas një marrëveshjeje tërheqëse zyrtare të arritur vitin e kaluar, e cila siguroi që kontrollet e gjera nuk do të viheshin përsëri në kufirin e ndjeshëm midis Irlandës, anëtare të BE-së dhe provincës britanike të Irlandës Veriore.

Elementi i tretë kryesor i marrëveshjes është ndarja e kuotave të peshkimit midis Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Cilat fusha tjera janë ndikuar nga marrëveshja?

Në bazë të marrëveshjes nuk parashikohet bashkëpunim i nivelit të njëjtin si para Brexit-it në shumë fusha.

Shërbimet financiare dhe të biznesit, shtylla kurrizore e eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar, janë përfshirë vetëm në një masë të vogël.

E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin në politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, ndërsa dispozitat për transportin, energjinë dhe bashkëpunimin bërthamor civil do të jenë nën nivelet aktuale.

Cilat lidhje tjera do të degradojnë?

Rrjeti i romingut, njohja reciproke e kualifikimeve profesionale, qasja në shërbimet ligjore, tregtia digjitale dhe prokurimi publik janë fusha të tjera ku bashkëpunimi do të ulet.

BE-ja dhe Britania e Madhe janë dakorduar të mos vendosin regjimin e vizave për udhëtime, por megjithatë lëvizja e lirë e njerëzve do të marrë fund.

Kjo do të thotë që qytetarët e BE-së që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe anasjelltas, do t'i nënshtrohen kontrollit të kufitar dhe nuk do të jenë më në gjendje të përdorin pasaporta biometrike për të kaluar shpejt nëpër portat elektronike.

A ka marrë fund procesi i Brexit-it?

Po, pasi Britania e Madhe tashmë është jashtë BE-së, bashkimit të saj doganor dhe tregut të përbashkët dhe nuk është më e lidhur me rregullat e tyre.

Lidhjet tani do të bazohen në bazë të marrëveshjes qendrore të Brexit-it të arritur në vitin 2020 dhe Marrëveshjen e rregtisë dhe bashkëpunimit të nënshkruar të enjten, më 24 dhjetor.

Por, ata që shpresojnë se negociatat kanë marrë fund ka të ngjarë se do të zhgënjehen.

Marrëveshja përfshin periudhat e tranzicionit dhe klauzolat e rishikimit, që do të thotë se ende do të ketë negociata për peshkimin, rregullat e tregtisë dhe shumë gjëra të tjera.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG