Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten Marrëveshjes Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Kryeministri Dritan Abazoviç deklaroi se kjo marrëveshje është miratuar pas më shumë se katër orë diskutimi.
Për miratimin e Marrëveshjes Themelore votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.
Me këtë, Qeveria miratoi Marrëveshjen e dakorduar më parë nga kryeministri Dritan Abazoviq me patriarkun Porfirije, përkundër kundërshtimit të një pjese të ministrave dhe shumicës parlamentare që e përkrah atë Qeveri.
Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq tha se qeveria e Dritan Abazoviqit po humbë kështu shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.
Para votimit, Konjeviq ka paralajmëruar krizën e Qeverisë, e cila është votuar vetëm dy muaj e gjysmë më parë. Sipas Konjeviqit, Marrëveshja Themelore është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën malazeze.
“Marrëveshja nuk është në përputhje me Kushtetutën, ndërkaq preambula nuk është në pëputhje me faktet historike. Po ju njoftoj se Qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe pas konsultimeve do të paraqitet kërkesa për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, përkatësisht për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Konjeviq.
Duke i bërë replikë Rashko Konjeviqit, kryeministri Dritan Abazoviq tha se nuk i pranon shantazhet e askujt.
“Unë nuk kam ardhur për të qenë kopshtar. Unë marr përgjegjësinë e plotë dhe do të shohim nëse kjo do të thotë mohim i mbështetjes në parlament. Nëse nuk ka alternativë, do të shkojmë në zgjedhje, por nuk hezitoj për asnjë sekondë. Unë jam krenar për rezultatet, pavarësisht se a i arrin kjo Qeveri njëqind ditë ose jo”, tha Abazoviq.
Pas miratimit të këtij dokumenti, Marrëveshja Themelore do t’i dërgohet Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, i cili gjithashtu duhet ta pranojë atë. Siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga patriarku Porfirije dhe kryeministri Abazoviq, për datën e nënshkrimit të Marrëveshjes në Mal të Zi do të ketë një pajtim
Rrjedha e diskutimit
Duke mbrojtur tekstin e dakorduar të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), kryeministri Dritan Abazoviq deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje të vetme që mund të jetë mbi ligjin dhe Kushtetutën e vendit.
Pavarësisht se ka pranuar disa nga vërejtjet që janë bërë për tekstin e Marrëveshjes Themelore, kryeministri Abazoviq ka avokuar për miratimin e saj, duke pretenduar se mund të korrigjohet më vonë.
“Nga kritikat rezulton se Marrëveshja Themelore pezullon ligjet dhe Kushtetutën dhe se kur të miratohet në Mal të Zi, gjoja asnjë ligj nuk do të jetë i vlefshëm. A duhet ta besojmë këtë? Marrëveshja Themelore mund të përmirësohet në të ardhmen”, tha kryeministri Abazoviq duke iu përgjigjur kritikave.
Versioni aktual i Marrëveshjes Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.
Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
Ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, tha se Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe nuk e ka dëmtuar interesin publik dhe se nuk ka asnjë rrezik për rendin publik të Malit të Zi.
“Kjo është një çështje teknike dhe pluhuri që është ngritur është i panevojshëm, sepse çdo dispozitë është në përputhje me Kushtetutën”, tha Kovaç.
Ai saktësoi se janë rregulluar disa dispozita.
“Këto janë çështje që kanë të bëjnë me edukimin fetar, të drejtën për informim dhe ky version i tekstit është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe në harmoni me marrëveshjet e tjera të nënshkruara me Kishën Katolike, Komunitetin Islam dhe atë Hebre”, tha Kovaç.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq i bëri thirrje kryeministrit që të ndalojë miratimin e Marrëveshjes Themelore dhe të formojë një ekip juristësh kushtetues që do ta analizojnë atë.
“Nëse e shikojmë përsëri përmbajtjen e këtij teksti, jam i sigurt se nuk do ta shtyjmë këtë Qeveri drejt destabilitetit politik”, tha Konjeviq, duke kujtuar se shumica dominuese e deputetëve që mbështesin Qeverinë e Malit të Zi janë kundër këtij versioni të marrëveshjes.
Kryeministrin e ka përkrahur ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, i cili ka vlerësuar se vonesa shtesë në zgjidhjen e çështjes së Marrëveshjes Themelore nuk do të ndryshojë qëndrimet e askujt.
“Shtyrja e kësaj çështjeje vetëm do t’i mbajë tensionet në shoqëri. Zgjidhja e çështjes së Marrëveshjes Themelor do ta kthejë Malin e Zi në pozitën e liderit në integrimet evropiane”, tha Damjanoviq.
Ndikimi rus në Mal të Zi
Gjatë diskutimit, kryeministri Abazoviq dhe ministri i Jashtëm Ranko Krivokapiq ngritën çështjen e ndikimit rus në Mal të Zi.
Kryeministri Abazoviq vlerësoi se përmbysja eventuale e qeverisë aktuale, për shkak të kundërshtimit të Marrëveshjes Themelore, do të ishte mbështetje për ndikimin rus në Mal të Zi.
“Këtë mesazh e morëm unë dhe presidenti i vendit, Milo Gjukanoviq, nga disa adresa. Krijimi i destabilitetit është drejtpërdrejt në interesin e Rusisë. Kushdo që do të rrëzojë qeverinë, me fat i qoftë, por mos u fshihni nga evropianizmi”, tha Abazoviq.
Në anën tjetër, ministri Krivokapiq pajtohet se “Qeveria e Malit të Zi po shkatërrohet nga politika ruse”, gjë që, sipas tij, e ka thënë edhe Parlamenti Evropian në rezolutën e marsit.
“Ndërhyrja e huaj mund të bëhet përmes instrumentalizimit të institucioneve fetare, përmes ndikimit rus të Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, duke thelluar ndarjet midis popullatës lokale dhe duke promovuar agjendën kundër BE-së”, tha Krivokapiq, duke cituar rezolutën.
Konflikti i mëparshëm politik për shkak të Marrëveshjes Themelore
Teksti i marrëveshjes, të cilin Partia Popullore Socialiste pro-serbe në pushtet dhe Fronti Demokratik pro-rus në opozitë këmbëngulën ta miratojnë, përveç kundërshtimeve të një pjese të publikut, ka shkaktuar një sërë sulmesh të ashpra mes partive të shumica qeverisëse.
Kryeministri i quajti ekstremistë ministrat e qeverisë së tij nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SDP), të cilët kundërshtuan nënshkrimin e marrëveshjes.
“Më mirë ‘ekstremist’ për vendin tënd sesa një ‘tradhtar’”, u përgjigj ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq.
Më herët, disa nga partitë që janë në Qeveri ose e mbështesin atë në Parlament, kanë paralajmëruar nismën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në rast se Qeveria e pakicës së Abazoviqit e miraton Marrëveshjen Themelore.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi mund të shkurtojë mandatin me propozimin e Presidentit të Shtetit, Qeverisë ose me propozimin e së paku 25 deputetëve.
Ndër kundërshtarët e nënshkrimit të tekstit aktual të Marrëveshjes janë Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq, e cila nuk ka ministra në Qeveri, por i jep mbështetje parlamentare, SDP-ja, një pjesë e opozitës, shoqatat kombëtare malazeze, një pjesë e sektorit joqeveritar...
Ata konsiderojnë se Marrëveshja Themelore e vendos kishën serbe mbi shtetin e Malit të Zi dhe e përkthen trashëgiminë kulturore dhe fetare malazeze në atë serbe.
Nga sektori joqeveritar kanë vënë në dukje një sërë anomalish juridike, që nga fakti se disa dispozita janë në kundërshtim me rregulloret pozitive të Malit të Zi e deri te deklarimi se me këtë marrëveshje cenohet karakteri laik i shtetit, i garantuar me Kushtetutë.
Me gjithë kundërshtimin e një pjese të opinionit, i cili kërkonte që marrëveshja të debatohej dhe teksti i saj të korrigjohej, kryeministri Abazoviq e zbatoi procedurën e miratimit për vetëm dhjetë ditë.
Fillimisht, ai formoi Grupin e punës për negociatat, i cili, me sa u informua publiku, pati vetëm një seancë, më pas shpalli tekstin e marrëveshjes së rënë dakord me Kishën Ortodokse Serbe dhe njoftoi miratimin e saj një ditë më vonë, gjatë një takimi me patriarkun në Beograd.