Ndërlidhjet

Borrell pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Bruksel, 26 prill, 2021.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Bruksel, 26 prill, 2021.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.

Këto komente ai i bëri të hënën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell shprehu bindjen se dialogu do të vazhdojë në muajin maj, me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

“Po bëjmë çmos për të vazhduar dialogun dhe shpresoj se më 11 maj një takim”, tha Borrell.

“Vlerësoj përkushtimin e presidentit Vuçiq për dialogun me Prishtinën për të arritur deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Pres arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, pa marrë parasysh vështirësitë”, u shpreh Borrell.

Në Bruksel, këtë javë do të qëndrojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe minisren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ai shtoi se për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së janë tri kushte kryesore: normalizimi i raporteve me Kosovës, sundimi i ligjit dhe që Serbia të përshtatë me qëndrimin e BE-së politikën e saj të jashtme.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme për një dialog konstruktiv dhe shtoi se “do të punojmë për të përmirësuar atmosferën dhe të ndërtohet mjedisi për arritjen e marrëveshjes”.

“Nuk mundemi vetëm të vazhdojmë duke punuar dhe duke u takuar, por duhet të arrijmë një rezultat substancial”, theksoi Vuçiq.

Ndërkaq, sa i përket përshtatjes me qëndrimet e BE-së të politikës së jashtme, Vuçiq tha se “Serbia është në një pozitë të vështirë për shkak të Kosovës” dhe se “në të ardhmen do të bëj përpjekje për të rritur përshtatjen me qëndrimet e BE-së”.

BE-ja e ka ngritur këtë çështje, për shkak se Serbia, vend që synon anëtarësimin në bllokun evropian, mbështet më shumë Rusinë dhe Kinën në politikën e jashtme sesa BE-në.

“Nëse dëshironi të bëheni anëtare e BE-së, duhet të ndani edhe vlerat e BE-së”, është shprehur Borrell.

“BE-ja është e përkushtuar tërësisht për perspektivën evropiane për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e Serbia është në qendër të këtyre përpjekjeve. BE-ja pret nga Serbia që të japë rezultate në reforma, e posaçërisht në sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave”, shtoi shefi i diplomacisë evropiane.

Në kornizën negociuese të BE-së për Sebinë është përfshirë edhe kushti për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën, përfshirë edhe përmes një dokumenti ligjërisht obligues. Prandaj, BE-ja edhe një herë ka përsëritur se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja palët, që të avancojnë edhe në rrugëtimin e tyre përkatës evropian.

Presidenti serb më herët gjatë ditës ka pasur takime edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. Në këto takime është biseduar edhe për vazhdimin e procesit negociator të Serbisë me BE-në, dhe mundësinë që në këtë proces të përdoret metodologjia e re e miratuar nga BE-ja.

Sipas rregullave, metodologjia e re e BE-së mund të zbatohet vetëm me shtetet, të cilat në të ardhmen i hapin negociatat. Në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë kjo metodologji mund të përdoret vetëm nëse këto dy vende, me status kandidati, pranojnë një gjë të tillë.

Sipas kësaj metodologjie, kapitujt negociues, gjatë procesit mund të rihapen edhe nëse janë mbyllur përkohësisht dhe ato janë ndarë në disa blloqe. BE-ja i ka arsyetuar këto ndryshime në metodologji, pasi ka thënë se “dëshiron që procesi të dinamizohet. Prandaj presin që edhe Mali i Zi dhe Serbia, të cilat tash e disa vite janë në procesin e negociatave të anëtarësimit, t’i bashkohen kësaj metodologjie”.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell janë pyetur edhe për qëndrimet e tyre lidhur me një dokument që pohohej se është dorëzuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e ku supozohej se janë paraqitur idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Që të dy kanë mohuar se kanë parë ndonjë dokument të tillë. Borrell ka thënë se BE-ja “qartë dhe në mënyrë të pakushtëzuar mbështet integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, aq sa edhe të vendeve të tjera të rajonit”.

Ndërkaq, Vuçiq tha se edhe Serbia mbështet “integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës sikur edhe integritetin territorial të Republika Srpskas brenda Bosnje e Hercegovinës, sipas Marrëveshjes së Dejtonit”.

Por, ai tha se “është i hapur për të diskutuar çfarëdo ideje”.

Presidenti serb po ashtu u shpreh se pret që Kosova të zbatojë zotimet nga ana e Kosovës, edhe për Marrëveshjen e Uashingtoni si dhe atë të Brukselit më 2013.

“Për Marrëveshjen e Uashingtonit, ne duhet të zbatojmë gjithçka që kemi rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Shpresojmë se pala tjetër do të zbatojë zotimet në këtë çështje, siç është mini-Shengeni dhe moskërkesa për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Ne, deri më tani nuk e kemi shkelur premtimin, por më i rëndësishmi është dialogu nën ombrellën e BE-së”, theksoi Vuçiq.

Ai tha se Serbia mori edhe mbështetjen e BE-së për projektin e hekurudhës për trena të shpejtë Beograd-Nish-Preshevë-Shkup. Vuçiq tha se pret që BE-ja të financojë së paku 35 për qind të këtij projekti, që kap shifrën prej rreth 600 milionë eurosh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG