Irani dhe Shtetet e Bashkuara e thelluan konfliktin rreth marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pasi udhëheqësit e dy vendeve kërkuan nga pala tjetër që të veprojë e para.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se nuk do t’i heqë sanksionet për ta rikthyer Iranin në tryezën e bisedimeve. Ai tha se Teherani duhet t’iu përmbahet angazhimeve, të ndërmarra me marrëveshjen bërthamore.
I pyetur në një intervistë për kanalin CBS, nëse do t’i ndërpresë sanksionet për ta bindur Iranin që të kthehet në tryezën e bisedimeve, Biden tha: “Jo”.
Presidenti tundi me kokë pohimin pozitiv kur u pyet nëse Irani, së pari, duhet të ndalojë pasurimin e uraniumit përtej kufijve të lejuar me marrëveshje.
Më herët, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i heqin të gjitha sanksionet nëse duan që Irani të veprojë në përputhje me marrëveshjen, të njohur edhe si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit.
“Nëse duan që Irani t’iu kthehet angazhimeve të tij, Shtetet e Bashkuara duhet t’i heqin të gjitha sanksionet. Pastaj, ne do ta bëjmë verifikimin dhe do të shohim nëse sanksionet janë hequr në mënyrë korrekte dhe, pastaj, do t'iu kthehemi zotimeve tona”, tha Khamenei në komentet për televizionin shtetëror iranian.
Sipas tij, ky është një “vendim i pakthyeshëm dhe përfundimtar” dhe “të gjithë zyrtarët iranianë kanë konsensus për të”.
Me marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore, Irani është dakorduar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione kundër Republikës Islamike.
Në përgjigje, Teherani ka shkelur gradualisht marrëveshjen, duke rritur rezervat e uraniumit të pasuruar lehtë dhe duke rafinuar uranium në një nivel më të lartë të pastërtisë.
Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të bërë karburant për reaktorë, por edhe për bomba bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është i pastër 90%.
Komentet e fundit të Bidenit dhe Khameneit nënvizojnë sfidën e vështirë diplomatike për presidentin amerikan, i cili ka thënë se do ta ringjallë marrëveshjen e refuzuar nga Trump.
Përveç kërkesës që Irani të kthehet së pari në përputhje me marrëveshjen, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, duan të arrijnë edhe një marrëveshje më të gjerë, që do të përfshinte programin e raketave të Iranit dhe politikat e tij rajonale.
Zyrtarët iranianë thonë se programi i raketave të vendit dhe politikat rajonale janë jashtë tryezës së bisedimeve.
Në muajin dhjetor, Parlamenti i Iranit ka miratuar një ligj që e detyron Qeverinë ta forcojë qëndrimin e saj bërthamor, nëse sanksionet e SHBA-së nuk lehtësohen deri më 21 shkurt.
Në një intervistë për një gazetë iraniane në fundjavë, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i bëri thirrje Uashingtonit që të veprojë shpejt, për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore.
“Koha po kalon për amerikanët, si për shkak të ligjit të Parlamentit, ashtu edhe për shkak të atmosferës zgjedhore që do të pasojë Vitin e Ri iranian”, tha Zarif.
Viti i ri i Iranit fillon më 21 mars dhe festimet zgjasin gati dy javë.
Zgjedhjet presidenciale të Iranit pritet të mbahen në qershor.
Vijat e ashpra, që tashmë kontrollojnë Parlamentin iranian, mund të marrin edhe kontrollin e presidencës, duke zvogëluar shanset e një kompromisi me Shtetet e Bashkuara.
“Sa më shumë që e shtyn Amerika, aq më shumë do të humbasë. Ne nuk kemi nevojë të kthehemi në tryezën e bisedimeve. Është Amerika ajo që duhet të gjejë biletë për të ardhur në tryezë”, tha ministri i Jashtëm iranian, Zarif, për gazetën iraniane, Hamshahri.
Facebook Forum