Ndërlidhjet

A do ta prishë marrëveshjen bërthamore të Iranit pushtimi i Ukrainës nga Rusia? 


I dërguari kryesor i Rusisë në bisedimet bërthamore të Iranit, Mikhail Ulyanov
I dërguari kryesor i Rusisë në bisedimet bërthamore të Iranit, Mikhail Ulyanov

Pas gati një viti negociatash të mundimshme, Irani dhe fuqitë botërore ishin në prag të marrëveshjes për të rivendosur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Por, kërkesat e minutës së fundit nga Rusia – një nga palët në këtë marrëveshje – kërcënuan prishjen e përpjekjeve për të ringjallur marrëveshjen që frenonte aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Moska ka kërkuar garanci nga Uashingtoni se sanksionet perëndimore, si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, nuk do të ndikojnë në bashkëpunimin e saj tregtar dhe ushtarak me Teheranin.

Shtetet e Bashkuara i kanë përshkruar kërkesat e reja të Rusisë “të parëndësishme”.

Franca, një tjetër nënshkruese e marrëveshjes, paralajmëroi se mund të shkatërrohen shpresat për një marrëveshje të ringjallur bërthamore.

Veprimet e Moskës janë pritur me habi dhe zemërim në Teheran. Ministri i Jashtëm i Iranit u tha ligjvënësve më 7 mars - pa përmendur Rusinë - se Teherani nuk do të lejojë që interesat e tij të minohen nga “elementë të huaj”.

Ekspertët paralajmërojnë se kërkesat e Rusisë mund të komplikojnë dhe përfundimisht të prishin negociatat tashmë të vështira midis Iranit dhe fuqive botërore.

Nëse bisedimet dështojnë, Irani mund të avancojë më tej aktivitetet e ndjeshme bërthamore.

Kjo, gjithashtu, mund të çojë në shtrëngimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Teheranit nga vendet perëndimore.

Vëzhguesit thonë se Irani dhe fuqitë botërore mund ta mënjanojnë Rusinë nga negociatat, megjithëse është e paqartë nëse Teherani do të ishte i gatshëm të rrezikonte marrëdhëniet e tij me Moskën aleate.

Irani dhe fuqitë botërore kanë zhvilluar negociata në Vjenë që nga prilli i vitit 2021, me Shtetet e Bashkuara që marrin pjesë në mënyrë indirekte.

Në vitin 2018, atëkohë presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja.

Teherani u përgjigj duke tejkaluar gradualisht kufijtë e vendosur nga pakti për aktivitetet e tij bërthamore. Presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka thënë se është i gatshëm të ribashkohet me paktin nëse Irani kthehet në përputhje të plotë.

'I goditur me thikë pas shpine'

Ali Vaez, drejtor i Projektit të Iranit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se duke futur luftën e nisur në Ukrainë në negociatat e ndërlikuara bërthamore, Rusia duket se është e vendosur të përmbysë bisedimet dhe të rrëzojë edhe Iranin.

Ai sugjeroi se Rusia duket se nuk është më e interesuar për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore që do të lehtësonte shqetësimet perëndimore mbi aktivitetet bërthamore të Iranit dhe do të lejonte Teheranin të shesë naftën e tij, gjë që mund të ulë çmimet globale të naftës.

“As kthimi i Iranit në tregun e naftës dhe as zgjidhja paqësore e një shqetësimi të sigurisë perëndimore në Lindjen e Mesme nuk i sjell dobi Kremlinit”, tha Vaez për Radion Evropa e Lirë.

“Udhëheqja në Teheran po zgjohet me realitetin se shpesh ju goditni me thikë pas shpine nga ata që besoni se mbronin kurrizin tuaj”, shtoi ai.

Prishja e bisedimeve

Analistët thonë se kërkesat e Rusisë do të përcaktojnë nëse ato komplikojnë apo prishin plotësisht negociatat.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 5 mars tha se Moska donte garanci me shkrim se sanksionet e “nisura nga SHBA-ja nuk do të dëmtojnë në asnjë mënyrë të drejtën për bashkëpunim të lirë dhe të plotë të tregtisë, ekonomisë, investimeve dhe bashkëpunimin ushtarak me Iranin”.

Kërkesat e reja të Rusisë përkojnë me rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Moskës për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, një veprim që ka provokuar sanksione të paprecedentë perëndimore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, hodhi poshtë kërkesat e Rusisë më 6 mars, duke thënë se sanksionet e SHBA-së që “po vendosen dhe që janë vendosur ndaj Rusisë, nuk kanë të bëjnë fare me marrëveshjen bërthamore të Iranit”.

“Komentet e Lavrovit sugjerojnë se Rusia po kërkon diçka shumë më të madhe. Unë nuk shoh që Shtetet e Bashkuara t’i japin Rusisë atë lloj lehtësimi të sanksioneve, edhe nëse rrezikon një ringjallje të [marrëveshjes bërthamore]”, tha për Radion Evropa e Lirë, Eric Brewer, nga Iniciativa e Kërcënimeve Bërthamore (NTI), me qendër në Uashington.

Brewer thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë për interesat e përbashkëta të mospërhapjes në të kaluarën, edhe kur tensionet kanë qenë të larta.

Por, ai thotë se është e mundur që kërkesat e kohëve të fundit të Rusisë “t’i prishin bisedimet”.

Vendim kritik

Vali Nasr, profesor i çështjeve ndërkombëtare dhe studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin Johns Hopkins, thotë se kërkesat e Rusisë e kanë detyruar Iranin të bëjë një zgjedhje të vështirë: të qëndrojë pas Rusisë dhe të vuajë kostot diplomatike dhe ekonomike të bisedimeve që dështojnë, ose të largohet nga Moska dhe të rrezikojë lidhjet e saj me një aleat.

“Irani duhet të vendosë se sa e rëndësishme është një marrëveshje për interesin e tij kombëtar dhe nëse do të lejojë bisedimet, në të cilat ka investuar kaq shumë dhe ka ndërtuar politikat e tij ekonomike dhe të jashtme rreth e rrotull që të merren peng nga Rusia,”, tha Nasr për Radion Evropa e Lirë, i cili shërbeu si këshilltar i lartë në administratën Obama.

“Do të jetë një vendim kritik për Teheranin”, tha ai duke shtuar se anashkalimi i Rusisë është i mundur.

“Ana bërthamore e gjërave është në dorën e Iranit. Sanksionet janë në duart e SHBA-së dhe Evropës. Leva e vetme e Rusisë është të parandalojë një marrëveshje”, tha ai.

Eric Brewer thotë se palët e tjera në marrëveshje do të duhet të gjejnë mënyra për të zëvendësuar rolin teknik të Rusisë sipas marrëveshjes, duke përfshirë heqjen e uraniumit të pasuruar të tepërt nga Irani.

“Duke pasur kohë të mjaftueshme, ndoshta mund të gjenden disa zgjidhje, që palët e tjera të zënë vendin e Rusisë në këto fusha teknike,” thotë ai.

“Por, nuk do të jetë e lehtë dhe koha po ikën. Në një nivel praktik, do të ishte tepër sfiduese për të ri-zbatuar marrëveshjen nëse Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk janë në një linjë për (marrëveshjen bërthamore) dhe nëse Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të luajë rolin e prishësit”, përfundoi ai.

Përgatiti: Taulant Qenaj

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG