Ndërlidhjet

Marketing politik me premtimet për rritjen e pagës minimale


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Përfaqësues të bizneseve në Maqedoninë e Veriut thonë se përderisa prodhimtaria mbetet në nivel të ulët, është joreale të shpresohet se sektori i biznesit do të krijojë kapacitete për rritjen e pagës minimale.

E, paralajmërimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale, njohësit e çështjeve ekonomike e shohin marketing politik në kuadër të fushatës zgjedhore.

Autoritetet qeveritare thonë se nuk do të heqin dorë nga rritja e pagës minimale, pasi siç theksojnë, për një gjë të tillë po krijohen kushte, sepse ekonomia po rimëkëmbet, mirëpo pa precizuar se kur do të realizohet kjo rritje e pagës minimale.

Edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut theksojnë nevojën që paga minimale duhet të rritet së paku për 12 për qind.

Por, nga komuniteti i biznesit thonë se rritja e pagës minimale do të jetë e mundur vetëm nëse ekonomia shënon rritje të qëndrueshme për një periudhë të caktuar.

Afaristi Trajan Angjelevski thotë se rritja e pagës minimale është joreale për kushtet në të cilat ndodhet aktualisht ekonomia e vendit. Ai thekson se në mënyrë artificiale synohet të ngjitet paksa më lart pragu i pagës minimale pa e rritur dhe efikasitetin në punë.

“Është shumë interesant e dhëna që del nga Banka Botërore në kontekst se nuk është evident problemi me produktivitetin në vendin e punës. Ne si kompani jemi të interesuar të rritet paga minimale, por njëkohësisht synojmë të kemi 'feedback' pra të marrim shërbime të caktuara për atë që paguajmë".

"Realisht, paga minimale shënoi rritje gjatë vitit të kaluar si rrjedhojë e presionit të ligjit që rregullon këtë çështje, duke imponuar të ashtuquajturën e nivelizimit (barazimit) të pagave pa kriter të qëndrueshëm. Çka do të thotë, një i sapopunësuar pa ofruar maksimumin në vendin e punës, punëdhënësi detyrohet t'i japë pagë minimale, ndërkohë që një pjesë të punës detyrohen ta bëjnë kolegët e tjerë me përvojë, pothuajse për të njëjtën pagë, sepse realisht kompanitë nuk shënojnë benefite në atë nivel që realisht të rrisin pagën minimale”, thotë Angjelevski.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë thonë se presioni i Qeverisë për të rritur pagën minimale do të nxisë shfaqjen e ekonomisë joformale.

“Motivin për aplikimin e politikave për rritjen e pagës minimale në këtë moment kur një gjë e këtillë kundërshtohet nga sektori i biznesit, duhet kërkuar në konceptin e krijuar viteve të fundit, pra konceptin e ashtuquajtur 'ekonomi zgjedhore' që do të thotë politikat ekonomike orientohen kah përfitimi i elektoratit gjatë proceseve zgjedhore”, konsideron Zoran Ivanovski, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit.

Nga Ministria e Financave, rritjen e pagës minimale e kanë arsyetuar edhe me faktin se pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të ardhurat për buxhetin e familjes kryesisht i sigurojnë nga pagat.

Vitin e kaluar Qeveria ndau nga buxheti i shtetit 6 milionë euro për të ndihmuar kompanitë, të cilave si rrjedhojë e ngritjes së pagës minimale, iu rritën shpenzimet.Me ndryshimet ligjore të miratuara një vit e gjysmë më parë, kompanitë u obliguan që të rrisin pagën minimale nga 10 mijë denarë në 12 mijë denarë (rreth 200 euro).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG