Në Maqedoninë e Veriut të mërkurën (1 shtator) kanë hyrë në fuqi masat e reja shtrënguese për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Hyrje-daljet në këtë vend nuk mund të bëhen pa certifikatë për vaksinim, vërtetim për kalim të COVID-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e shërimit, test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë ose test negativ i shpejtë për trupat e antigjenit jo më të vjetër se 48 orë.
Shtetasit që nuk përmbushin njërën nga këto kushte do të vendosen në izolim për shtatë ditë pas hyrjes në Maqedoninë e Veriut, dhe kohëzgjatja mund të shkurtohet në pesë ditë nëse paraqitet një test negativ PCR gjatë asaj periudhe.
Përjashtim nga ky vendim ka vetëm për shoferët e kamionëve të mallrave. Masa e re, ka shkaktuar kolona të gjitha në disa pika kufitare, në veçanti në "Bogorodicë" në kufirin me Greqinë prej nga shumë shtetas kthehen nga pushimet verore.
Shtrëngimi i masave vjen pas rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19. Në Maqedoninë e Veriut, të martën janë regjistruar 37 viktima dhe 870 të infektuar. Numri i rasteve aktive ka arritur në 14.300 persona.
Në fuqi janë edhe masa tjera kufizuese, si puna në objektet e gastronomisë me kapacitete të kufizuara, apo vetëm me 30 për qind të kapaciteteve në hapësirat e brendshme dhe deri në 50 për qind në hapësirat e jashtme. Hyrja në restorane, qendra tregtare dhe objekte tjera afariste lejohet vetëm me dëshmi vaksinimi.
Në Maqedoninë e Veriut, deri të mërkurën janë vaksinuar mbi një 1.2 milion persona, prej tyre rreth 530 mijë me nga dy doza.
Drejtuesit e institucioneve kanë thënë se presin që deri nga mesi i tetorit me nga dy doza të vaksinohen rreth një milion persona, me çka besojnë se do të arrihej imuniteti kolektiv për mbrojtje nga pandemia.