Ndërlidhjet

A ka një listë të shtetasve bullgarë të cilëve u ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut?


Pasaportë bullgare. Fotogafi ilustruese nga arkivi.
Pasaportë bullgare. Fotogafi ilustruese nga arkivi.

Pas reagimeve të Sofjes zyrtare për shkak të ndalimit të hyrjes në Maqedoninë e Veriut të eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev, kryetarit të Fondacionit “Bugarska Memorija”, Milen Vrabeskit, si dhe tre shtetasve të tjerë bullgarë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse Shkupi ka një listë të shtetasve bullgarë të cilëve u ndalohet hyrja në këtë shtet.

Kjo ministri nuk i është përgjigjur direkt pyetjes së REL-it, por ka thënë se “në bazë të Ligjit për të huajt, refuzimi i hyrjes është kompetencë ekskluzive MBB-së”, ndërsa caktimi i masës “ndalimi i hyrjes” mund të shqiptohet nga ministria, gjykata kompetente ose organe të tjera brenda kompetencat e tyre ligjore.

“Punonjësit policorë çdo ditë kryejnë kontrolle në vendkalimet kufitare të personave - shtetas të huaj - të cilët hyjnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht kontrollojnë nëse ata i plotësojnë kushtet për hyrje...”, thuhet në përgjigje.

Kur është pyetur për arsyen e ndalesës së hyrjes për Kovaçevin dhe katër të tjerët, MPB tha se kjo ndodhë “nëse një i huaj nuk i plotëson kushtet” e përcaktuara me ligj për të hyrë në territorin maqedonas.

Më 6 maj, autoritetet maqedonase ua pamundësuan hyrjen në territorin e Maqedonisë së Veriut Kovaçevit, Vrabeskit dhe tre shtetasve të tjerë bullgarë të cilët ishin nisur për të marrë pjesë në një aktivitet kushtuar rënies së ushtarëve bullgarë gjatë Luftërave Ballkanike.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Ivan Kondov, tha të mërkurën se veprimi i autoriteteve maqedonase nuk është në përputhje me parimet dhe normat evropiane, të cilat autoritet maqedonase janë të obliguara t’i respektojnë.

“Në njoftimin drejtuar shtetasve tanë nga ana e autoriteteve kufitare maqedonase, në mënyrë eksplicite, është theksuar ata ndodhen në listën e personave që u ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut”, tha shefi i diplomacisë bullgare.

Gjithashtu, më 10 maj, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e ka thirrur në bisedime ambasadoren Maqedonisë së Veriut në Sofje, Agnesa Rusi Popovska.

“Nga pala bullgare u konstatua se është e papranueshme përpilimi i listave të ndalimit për qytetarët e një shteti anëtar të BE-së. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë pret që të informohet për kriteret sipas të cilave në lista të tilla përfshihen shtetasit bullgarë dhe deputetët evropianë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Bullgarisë.

Ndërsa MPJ e Maqedonisë tha se me eurodeputetin bullgar ishin duke udhëtuar edhe disa persona që paraqesin rrezik për paqen dhe sigurinë publike vendit.

“Në grupin me të cilin udhëtonte Andrej Kovaçev ka pasur persona për të cilët MPB-ja ka dijeni se paraqesin rrezik për paqen dhe sigurinë publike. Në mesin e tyre nuk është eurodeputeti Kovaçev, por shërbimet kompetente kanë marrë një vendim të tillë për shkak të grupit me të cilin ai udhëtonte”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u përkeqësuan në vitin 2019, pasi Sofja bllokoi integrimit evropian të Shkupit si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve për të kaluarën historike, si dhe çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG