Ndërlidhjet

Maqedonia përballet me problemin e deponive regjionale


Mbeturinat skaj rrugës, Maqedoni.
Mbeturinat skaj rrugës, Maqedoni.

Maqedonia përballet me probleme serioze sa i përket ngritjes së deponive regjionale përmes së cilave synohet t’i jepet fund problemit me deponitë e egra.

Autoritetet shtetërore në Maqedoni kanë bërë të ditur se tashmë janë hartuar projekte konkrete për ndërtimin e deponive regjionale, duke theksuar se problemi qëndron te refuzimi i autoriteteve komunale që deponitë regjionale të ndërtohen në komunat e tyre, duke hedhur poshtë mundësinë që të përfitojnë nga riciklimi i mbeturinave. Autoritetet e pushtetit vendor shfaqin dyshime se deponitë nuk do të ndërtohen sipas standardeve të shteteve të zhvilluara evropiane.

Zoran Nogaçeski, kryetar i Komunës Debarcë, për Radion Evropa e Lirë sqaron vendimin e Këshillit Komunal të komunës që drejton, për të refuzuar propozimin e dikasterit të Ambientit Jetësor për ndërtimin e deponisë regjionale në këtë komunë. Sipas propozimit, në këtë deponi do të grumbulloheshin mbeturinat nga komuna e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës dhe pesë komuna.

Nogaçeski thotë se janë dy arsye se pse banorët e Debarcës refuzojnë që deponia të ndërtohet në komunën e tyre.

Arsyeja e parë, sipas Nogaçeskit, ka të bëjë me mjetet jo të mjaftueshme të ndara për ngritjen e kësaj qendre për grumbullimin e mbeturinave dhe e dyta se vendimi duhet të merret pas një debati transparent dhe jo të merret vendimi dhe pastaj të hapet debati.

Kumanovë(Foto nga arkivi)
Kumanovë(Foto nga arkivi)

“Vendimi për t’u ngritur deponia në komunën tonë nuk mori vizë nga Këshilli Komunal. Më herë edhe banorët e kësaj zone u shprehën se janë kundër ngritjes së deponisë në një lokacion që është tërësisht i pastër ekologjikisht. Gjithsesi, duhet të hapet debat, të thuhet qartë se çka fitojnë dhe çka humbin qytetarët e kësaj komune".

Dhe ajo që është më e rëndësishme, çdo vendim në bazë të së cilit do të ngrihet deponia dhe njëherësh do të funksionojë, duhet të jetë transparent si në aspektin e përmbushjes së standardeve, ashtu dhe sigurimit dhe menaxhimit të mjeteve financiare”.

“Njëherësh duhet të kemi parasysh faktin se ai që do të operojë me deponinë, do të jetë i interesuar të ketë sa më shumë përfitim, pra sa më shumë mbeturina të përpunohen. Ajo nga e cila kanë më shumë frikë qytetarët, është se do të ketë mbeturina edhe nga Bashkimi Evropian përmes Shqipërisë”, thotë Nogaçeski.

Komuna e Debarcës kufizohet me komunën e Strugës dhe atë Ohrit ku vitin e kaluar qytetarët e kësaj ane u përballën me shumë probleme për shkak të djegies së mbeturinave në deponitë e egra në pikun e sezonit turistik.

Ambientalistët thonë se mungesa e deponive të regjionale ka bërë që në Maqedoni të ketë qindra deponi të egra, të cilat paraqesin katastrofe ekologjike.

Bllazhe Josifovski, ambientalist nga rajoni i Ohrit, thotë se për t’u përcaktuar lokacioni më i mirë për ngritjen e deponive, duhet plotësuar disa kritere.

“Është shumë mirë të ndërtohen deponitë regjionale. Mbase duhet gjetur lokacioni i duhur. Me ngritjen e deponive regjionale, parashihet dhe pastrimi i deponive të shumta të egra, të cilat pothuajse janë në çdo hap të vendit. Modeli më i mirë është ai slloven, ku është investuar fillimisht në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që ata që në shtëpi të bëjnë selektimin e mbeturinave, duke ndarë mbeturinat organike, letrën, plastikën, qelqin etj në shporta të caktuara. Kjo ka bërë që mbi 70 për qind e mbeturinave të përpunohen”.

“Me shumë rëndësi është që Ligji për mbrojtjen e ambientit të zbatohet në përpikëri, sepse Inspektorati duket se sheh përmes gishtërinjve madje edhe kur ndoten pjesë të vendit, të cilat janë me shumë vlerë për Maqedoninë si shtet, siç është bregu i Liqenit të Ohrit apo pjesa e Kanionit të Matkës”, thotë Josifovski.

Nga ana tjetër, Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare “Eko Guerila”, thotë se pushteti vendor duhet të bashkëpunonte me sektorin civil ngase vetëm në këtë mënyrë mund të thithen më shumë mjete nga fondet evropiane, por edhe qytetarët do të jenë të informuar në mënyrë të duhur për përfitimet rreth ngritjes së deponive regjionale dhe selektimit të mbeturinave.

Xhaferi thotë se drejtuesit e komunave bartin një pjesë të madhe të fajit, sepse ata nuk arrijnë të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e problemit me mbeturinat, ashtu siç zotohen gjatë fushatave zgjedhore. Ai e quan të patolerueshme që zgjidhja e këtij problemit të pritet nga diku tjetër.

“Në bazë të informacioneve që ne i kemi, si organizatë, e të cilat na i ka dhënë dikasteri i Ekologjisë, komunat tona, flas për ato në rrethin e Pollogut, kanë dështuar sa i përket hartimit të një plan të përbashkët, me të cilin do të konkurronin për thithjen e mjeteve, qoftë nga Qeveria apo fondet evropiane për një deponi regjionale në bazë të standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane".

"Unë problemin e shoh te komunat, sepse ky është problem që kërkon zgjidhje nga komunat. Ata saktë duhet të tregojnë pse lejojnë apo nuk dëshirojnë të lejojnë që të ndërtohet deponia në një lokacion të caktuar dhe ta zgjidhin problemin me deponitë e egra”, konsideron Xhaferi.

Me ngritjen e deponive regjionale Maqedonia parasheh të zgjidhë problemin me 54 deponitë komunale, të cilat funksionojnë pa plotësuar as minimumin e standardeve ekologjike, ndërkohëambientalistët alarmojnë se në Maqedoni ka rreth 3 mijë lokacione ku pa kontroll hidhen mbeturina që paraqesin rrezik serioz për shëndetin e njeriut.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG