Ndërlidhjet

Shkup: Kritikët thonë se pas thirrjeve për pajtim fshihet amnistia


Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev.

Pajtimi kombëtar mbetet fjala më e përdorur ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut mirëpo askush nuk ka ofruar ndonjë model se si mund të arrihet një gjë e tillë.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se pas kërkesës për pajtim sërish mund të kamuflohet amnisti për persona të caktuar që duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Këto komente vijnë pasi së fundmi për pajtim kanë bërë thirrje krerët shtetëror me rastin e shënimit të 2 gushtit, Ditës së Kryengritjes së Ilindenit, me ç'rast presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi kanë theksuar se pajtimi mes qytetarëve dhe bashkimi i të gjitha forcave relevante në shtet është mëse i nevojshëm për t’u dhënë shtytje proceseve integruese.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pajtimet e deritanishme pas vete kanë lënë shijen e hidhur pasi në një farë forme në emër të pajtimit janë amnistuar personat që kanë bërë vepra kriminale. Sipasj tij, kjo duhet të përfundojë.

“Pajtimet në format që janë bërë deri më tash e që kanë nënkuptuar amnisti për politikanët që kanë shkelur ligjin duhet t’u jepet fund si praktikë. Për pajtim në kuptimin e plotë të fjalës nuk ka nevojë sepse vetë partitë politike kanë një komunikim normal i cili ka rezultuar edhe me marrëveshje konkrete, por në këtë rast unë dyshoj se pajtimi në vete nënkupton apel për amnisti për persona të caktuar si në pushtet ashtu edhe ata që janë në opozitë”, thotë Neziri.

Ai thekson se tentimi i pushtetit për të arritur ujdi me opozitën rreth Ligjit për punën e Prokurorisë themelore publike dhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale pas vete fsheh dhe gjetjen e modaliteteve për të shpëtuar personat e fuqishëm në radhët e partive kryesore të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë.

“Thirrjet për pajtim nuk janë asgjë tjetër përveç se apele që të merren vesh lidhur me amnistinë e personave që kanë shkelur ligjin, e që janë figurat kyçe në partitë politike. Pajtimi duhet të nënkuptojë pajtim lidhur me funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e ligjit dhe pajtim për përmbushjen e obligimeve dhe detyrave që kërkon Brukseli për Shkupin për t'u anëtarësuar vendi në BE”, thotë Neziri.

Ndërkaq politologu maqedonas Petar Arsovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se shoqëria maqedonase është shumë e ndarë dhe për këtë ai fajëson politikën.

Arsovski thotë se politikëbërësit vetëm flasin për pajtim, por në realitet nuk bëjnë asnjë hap në këtë drejtim që do të çonte kah bashkimi i forcave të të gjithë qytetarëve për realizmin e qëllimeve të përbashkëta.

“Asnjë politikan deri më tani nuk ka treguar saktësisht si e mendon ta realizojë pajtimin, cilat janë shtyllat bazë përmes së cilave duhet të pajtohemi ne si qytetarë dhe as që demonstrojnë ndonjë vullnet politik për ta realizuar pajtimin“, thotë Arsovski.

Ndryshe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, idenë për pajtim e inicioi në kohën kur duhej të siguroheshin dy të tretat e votave për ndryshimin e Kushtetutës si pjesë e realizmit të Marrëveshjes së Prespës. Një pjesë e deputetëve të opozitës maqedonase të cilët votuan ndryshimet kushtetuese u amnistuan për ngjarjet e dhunshme në parlament më 27 prill të vitit 2017.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbesin të ndarë rreth ndryshimit të emrit të shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG