Ndërlidhjet

Kandidatja e VMRO-së prin në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut


Kandidatja e VMRO-së për zgjedhjet presidenciale, Gordana Silanovska-Davkova, duke votuar në një qendër votimi në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 24 prill 2024.
Kandidatja e VMRO-së për zgjedhjet presidenciale, Gordana Silanovska-Davkova, duke votuar në një qendër votimi në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 24 prill 2024.

Gordana Siljanovska- Davkova, kandidate e partisë opozitare VMRO DPMNE, prin bindshëm në garën për zgjedhjet presidenciale, të mbajtura më 24 prill, në Maqedoni të Veriut.

Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Silanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.

Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.

Këto zgjedhje njëherësh janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë ato do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.

Sa vota kanë marrë kandidatët e tjerë?

Në garën për kreun e shtetit kanë garuar shtatë kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Sipas rezultateve të para, ai është i treti me 81.748 vota apo 15.63 % të votave të fituara.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit. Ai ka siguruar 59.591 apo 11.39 % të votave.

Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”. Nga këta kandidatë, më së shumti vota ka marrë Dimitrievski, përkatësisht 42.296 vota apo 8.09 %.

Një fëmijë duke pritur ndërsa një grua voton gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shkup, Maqedoni e Veriut, 24 prill 2024.
Një fëmijë duke pritur ndërsa një grua voton gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shkup, Maqedoni e Veriut, 24 prill 2024.

Pritjet e qytetarëve nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i takoi në qendrat e votimit të mërkurën teksa po zhvillohej procesi zgjedhor, thanë se cilido prej shtatë kandidatëve që zgjidhet, presin që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit integrues, në luftimin e korrupsionit dhe të ndalë hovin e largimit të të rinjve nga vendi.

Teksa votuan për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, ata kërkuan po ashtu rritjen e cilësisë në arsim, në mënyrë që gjeneratat e reja me dijen e tyre të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

Velika Minovska, pensioniste nga komuna e Çairit në Shkup, e cila votoi bashkë me bashkëshortin e saj, tha për Radion Evropa e Lirë se me rëndësi të veçantë për të është që shteti të ecë para dhe të krijohen kushte për një jetë me dinjitet edhe për më të moshuarit.

“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë, atë presim se do të vijnë ditë më të mira. Shpresojmë që vendi të ecë para dhe të ketë perspektivë për qytetarët. Një jetë me dinjitet edhe për ne më të moshuarit”, tha Velika Minovska.

Disa qytetarë kontrollojnë listën e votuesve gjatë zgjedhjeve presidenciale, në Shkup, Maqedonia e Veriut, 24 prill 2024.
Disa qytetarë kontrollojnë listën e votuesve gjatë zgjedhjeve presidenciale, në Shkup, Maqedonia e Veriut, 24 prill 2024.

Edhe Sunaj Iljazi rreth të 30-tave tha se nga zgjedhjet presidenciale pret që Maqedonia e Veriut t'i përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke mundësuar një standard më të mirë për gjenerata e reja.

“Të ketë më shumë punësime për të rinjtë. Të jemi një shtet që i ka institucionet me rregull, të besueshme”, tha ai.

Edhe Behar Memishi pohoi se nga presidenti i shtetit pret që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit të integrimeve për Maqedoninë e Veriut:

“Presim të zhbllokohet procesi (i integrimeve), këtë kërkesë kemi nga ai (presidenti i ri i shtetit)”.

Ndërkaq, Zllatko Ardirovski tha se nga presidenti i ri pret që të ndikojë në shtytjen para sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Pres që (presidenti i ri) të bëjë më shumë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin në nivele të larta, të insistojë në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbeten në Maqedoni (të Veriut) përmes ngritjes së cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që pres nga presidenti i shtetit, i cili do të zgjidhet”, theksoi Zllatko Argirovski nga komuna Qendër e Shkupit.

Një burrë duke mbushur fletën e votimit në një vendvotim në Shkup.
Një burrë duke mbushur fletën e votimit në një vendvotim në Shkup.

Ndryshe, sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.

Fushata elektorale ka zgjatur 20 ditë dhe është përcjellë me akuza të shumta mes kandidatëve.

Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

Këto zgjedhje njëherësh vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahenm më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Vëzhgimi i procesit zgjedhor

Zgjedhjet presidenciale u monitoruan nga 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj si dhe 32 media ndërkombëtare.

“Këtë mëngjes, unë pata mundësinë të vizitoj dy qendra votimi dhe ka qenë një fillim i mbarë i ditës dhe siç e dini këto janë vetëm dy nga shumë qendra votimi në gjithë vendin. Në fund të ditës do të mbledhim informacion dhe do të tregojmë se si ka vazhduar procesi zgjedhor. Ne kemi më shumë se 200 vëzhgues të shpërndarë në të gjithë vendin. Të enjten do të mbajmë një konferencë për mediat ku do të japim deklarata për procesin zgjedhor”, ka deklaruar më herët gjatë ditës shefja e misionit të OSBE-së, Jillian Stirk.

Një vendvotim në Shkup në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Një vendvotim në Shkup në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, përmes një mesazhi në rrjetet sociale tha se qytetarët duhet të zgjedhin kandidatin që reflekton pritshmërinë e tyre për të ardhmen e vendit.

“Ata duhet të dalin atje dhe të zgjedhin kandidatin që reflekton ëndrrat e tyre për të ardhmen. Dilni në votime pasi asgjë nuk do të arrihet duke mos votuar”, ka shkruar Ageler në Facebook.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu e kanë mbikëqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

MPB-ja nuk ka bërë të ditur numrin e policëve që u angazhuan në qendrat e votimit, por nga ky dikaster më herët kanë thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrjedhës së procesit në pjesën perëndimore të vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG