Ndërlidhjet

Kovaçevski: Marrëveshja me Bullgarinë, prioritet i Qeverisë së re maqedonase


Mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Marrëveshja me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe heqjen e vetos për procesin e integrimit evropian, do të jenë prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar të martën, mandatari për kryeministër, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski paraqiti para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përbërjen e re të Qeverisë së re, e cila bazuar në deklarimet e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi pritet të votohet më 16 janar, pas debatit që do të zgjasë dy ditë, bazuar në dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë.

“Një nga prioritetet e Qeverisë që do të drejtoj është zgjidhja e pranueshme e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke ruajtur vlerat evropiane, si dhe dinjitetin e të dyja vendeve, për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian, respektivisht heqjen e vetos për mbajtjen e konferencën ndërqeveritare me BE-në pas çka Republika e Maqedonisë së Veriut edhe zyrtarisht do të shënojë nisjen e negociatave të integrimit evropian”, ka deklaruar Kovaçevski.

Si prioritete kyçe të punës së Qeverisë, Kovaçevski ka theksuar përballjen me krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, e cila, siç tha ai, është krizë energjetike evropiane.

“Prioriteti i dytë është ruajtja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe kompanive në kushtet e krizës ekonomike, e cila vjen nga kriza energjetike. Dhe e treta është përmbushja e objektivave për sa i përket projekteve të mëdha infrastrukturore të miratuara në buxhetin e vitit 2022, si zgjidhje ligjore, të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në dhjetor”, ka deklaruar mandatari për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, i cili njëherësh është kryetar i Lidhjes Social Demokrate.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë 16 ministri dhe katër zëvendëskryeministra. LSDM-ja, do të drejtojë tetë ministri, Bashkimi Demokratik për Integrim gjashtë, ndërsa Alternativa do të drejtojë dy ministri. Kjo parti do të ketë edhe një ministër pa resor, i angazhuar për diasporën.

Kabineti qeveritar do të ketë nëntë emra të rinj të ministrave. Në përbërjen e re nuk do të jenë emrat më të ekspozuar në qeverisjen e deritanishme si Venko Filipçe, i cili drejtoi për tre vjet Ministrinë e Shëndetësisë, pastaj Milla Carovska, që drejtoi Ministrinë e Arsimit, Radmilla Sheqerinska, që ishte ministre e Mbrojtjes, ndërsa nuk do të jetë as Nikolla Dimitrov, përgjegjës për euro-integrimet.

Nga gjashtë ministrat e BDI-së, risi do të jetë Jeton Shaqiri, ministër i ri i Arsimit. Përveç BDI-së dhe LSDM-së, pjesë e Qeverisë do të jetë edhe Alternativa e cila në postin e ministrit të Shëndetësisë ka nominuar Bekim Saliun, kurse Admirim Altini për ministër të Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

Dimitar Kovaçevski në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zëvendësojë ish-kryeministrin, Zoran Zaev i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG