Ndërlidhjet

Zaev konfirmon: Maqedonia e Veriut, emri i ri


Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev

"Republika e Maqedonisë së Veriut", është propozimi i ri për emrin e Maqedonisë, ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje para mediave pak çaste pas bisedës telefonike me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras.

Zaev tha se marrëveshja garanton gjuhën maqedonase dhe identitetin, ndërsa emri i ri do të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit, i përkthyer në të gjitha gjuhët.

"Po të ardhmes evropiane, po të ardhmes së qytetarëve të Maqedonisë. Marrëveshja zhbllokon procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE dhe me këtë zgjidhim kontestin prej dy dekadash e gjysmë. Nuk ka më FYROM. Maqedonasit mbeten maqedonas, gjuha mbetet maqedonase, forcojmë identitetin, mbyllim problemet shekullore, vendi po ecë përpara me një perspektivë të ndritur për të gjithë qytetarët", tha Zaev.

Ai tha se marrëveshja fillimisht do të nënshkruhet nga dy qeveritë, pastaj do të ratifikohet nga Kuvendet e dy shteteve.

Më pas, sipas tij, Greqia do të njoftojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n se ka marrëveshje dhe se mund të fillojnë procedurat e integrimit evropian.

"Presim datën për bisedime me BE-në dhe ftesë për anëtarësim në NATO", tha Zaev duke shtuar se për marrëveshjen do të njoftojë kreun e shtetit dhe të gjitha partitë politike nga të cilët kërkoi mbështetje.

Në anën tjetër, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras po ashtu ka konfirmuar se shteti i tij ka arritur marrëveshje me Shkupin zyrtar lidhur me kontestin e emrit.

“Kemi marrëveshje. Jam i lumtur sepse është marrëveshje e mirë, që mbulon të gjitha parakushtet e vendosura nga pala greke”, tha ai gjatë një paraqitjeje televizive.

Tsipras shtoi se Maqedonia do të ketë një emër të ri “me përcaktues gjeografik”, por, megjithatë ai nuk tregoi se për cilin emër janë marrë vesh me palën maqedonase.

Arritja e marrëveshjes për emrin mes Athinës dhe Shkupit zyrtar është mirëpritur nga Bashkimi Evropian.

“I përshëndesim kryeministrat Tsipras dhe Zaev për vendosshmërinë dhe lidershipin e tyre për arritjen e kësaj marrëveshjeje historike mes dy vendeve, gjë që kontribuon në transformimin e gjithë rajonit të Evropës Juglindore. Kjo arritje është meritë e udhëheqësve të dy vendeve dhe ekipeve të tyre, por para së gjithash iu takon të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në reagimin e përbashkët të shefes për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn.

Më herët, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, duke komentuar thirrjen e kryeministrit Zaev për mbështetjen e marrëveshjes, ka thënë se për zgjidhjen e kontestit nevojitet konsensus i gjerë politik dhe se për një çështje kaq jetësore nuk mund të vendoset përmes një bisede telefonike.

“Presidenti Ivanov edhe njëherë thekson nevojën për konsensus të gjerë kombëtar për gjetjen e zgjidhjes e cila nuk do të rrezikojë dinjitetin e popullit maqedonas dhe të qytetarëve. Presidenti Ivanov vlerëson se është joserioze dhe e papërgjegjshme që për çështjen e emrit, që është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë, dhe kërkesa të imponuar, të zgjidhen përmes telefonit dhe marrëveshjes mes vetëm dy kryeministrave të shteteve”, kanë kumtuar nga kabineti i presidentit.

Megjithatë, Zaev ka deklaruar se për marrëveshjen me Greqinë, fjalën përfundimtare do ta thonë qytetarët në referendum.

“Qytetarët janë atë të cilët do të vendosin në referendum ndërsa unë dhe presidenti Ivanov duhet t'i ndihmojmë njerëzve.. unë besoj se do të kemi takime ku do të mund t’i nxjerrim të gjitha argumentet dhe çdonjëri të veprojë në bazë të kompetencave që ka... ne duhet të punojmë për perspektivën, ne duhet të kemi parasysh se nëse arrijmë marrëveshja zhbllokohet procesin eurointegues dhe më ketë do të ketë perspektivë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Zaev.

Ratifikimi i dokumentit parashihet në disa faza bazuar në marrëveshjen e mundshme. Pas kalimit në Kuvend, Qeveria greke do t’i dërgojë letër BE-së dhe NATO-s se inkurajon fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO, pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Një nga fazat është edhe organizimi i referendumit dhe në rast të dështimit të tij atëherë parashihen zgjedhjet të jashtëzakonshme parlamentare dhe në rast se fiton partia që mbështet marrëveshjen atëherë kjo do të konsiderohej si mbështetje për dokumentin e dakorduar.

Marrëveshja mes dy shteteve pritet të nënshkruhet gjatë fundjavës në Prespë të Greqisë dhe me pas ajo do të ratifikohet nga Kuvendet e dy shtetet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG