Në Maqedoninë e Veriut më 27 shtator nisi dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit për grupe të caktuara të shoqërisë.
Dozën e tretë të vaksinës Pfizer do ta marrin të gjithë punonjësit shëndetësorë, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobët, si dhe personat mbi 60 vjeç, të cilët kanë marrë dy doza të paktën gjashtë muaj më herët.
Hamdi Lutfiu, mbi 70 vjeç, thotë për Radion Evropa e Lirë se me dozën e tretë do ta marrë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tij, problem tani paraqitet mbingarkimi i sistemit shëndetësor.
“Për shkak të mungesës së terminëve të lirë, shumë vonë mund të arrish te mjeku dhe ai nuk mund të të ndihmojë. Shto këtu edhe infeksionin e mundshëm (me koronavirus), që mund të jetë fatale”, thotë ai dhe shton se përveç marrjes së dozës së tretë, duhet të respektohen në përpikëri masat, pasi ai pohon se ndihet i rrezikuar nga personat që nuk mbajnë maskë e as distancë fizike.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara që ta marrin dozën e tretë të vaksinës.
“Punonjësit shëndetësorë do të vaksinohen në kuadër të organizatës shëndetësore, kurse personat me probleme të imunitetit, me vërtetim të mjekut mund të shkojnë në çdo pikë vaksinimi”, është shprehur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Imunizimi i tufës në rrezik nga ata që nuk duan të vaksinohen
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se për t’u arritur imuniteti i tufës, duhet që 80 deri në 85 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut të imunizohet kundër koronavirusit.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, deri më tani, me dy dozat janë vaksinuar 714,135 persona, ndërkaq me një dozë 781,623 qytetarë.
Genti Bilalli, mjek në Klinikën Infektive në Gostivar, thotë për Radion Evropa e Lirë se personat e vaksinuar po e kalojnë më lehtë sëmundjen COVID-19 kundrejt atyre që nuk janë të imunizuar.
“Mua më vjen keq që në mesin e popullatës ka ende qëndrime kundër vaksinimit, por më duhet të theksoj si mjek se më shumë bëjnë dëm antibiotikët kur merren pa konsultim të mjekut sesa që mund të shkaktojë efekte të padëshiruara vaksina”, thotë Bilalli.
Në këtë drejtim, mjeku Zllate Memdoviq, që punon në qendrën për COVID-19 në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të gjinden mekanizma për të bindur popullatën që të vaksinohet sepse sipas tij, numrat aktualë nuk janë shumë shpresëdhënës për faktin që më shumë se gjysma e popullsisë ende nuk është e vaksinuar.
Memedoviq thotë se gjithçka duhet orientuar nga vaksinimi i një numri sa më të madh të qytetarëve me dy doza e para dhe jo në dozën e tretë.
“Nëse do të pyetesha unë, të gjithë fokusin do ta vendosja nga ata që nuk janë fare të vaksinuar dhe jo në marrjen e dozës së tretë të vaksinës. Ende kemi një përqindje të lartë të atyre që refuzojnë të marrin vaksinën. Kjo përqindje përbën gjysmën e popullatës dhe si shifër nuk është aspak në favor të sigurimit të imunitetit kolektiv (imunitetit të tufës), andaj gjithçka duhet orientuar në këtë drejtim përmes fushatave vetëdijësuese, por edhe msave më restriktive që do të detyronin qytetarët të vaksinoheshin, siç ndodh në shumë shtete të Evropës”, thotë Memedoviq.
Vendimi për aplikimin e dozës së tretë në Maqedoninë e Veriut vjen pas rekomandimit të dhënë nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe ajo amerikane.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se qytetarët me dozën e tretë do të vaksinohen vetëm me vaksinën e kompanisë Pfizer, pavarësisht nëse dy dozat e para i kanë marrë të ndonjë kompanie tjetër.
Facebook Forum