Ndërlidhjet

Sassoli: Maqedonia e Veriut të nisë bisedimet me BE-në për anëtarësim


Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli
Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet patjetër të nisë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Vendimi i samitit evropian për mosdhënien e datës së bisedimeve do të rikthehet pas disa muajve dhe kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për të vazhduar me procesin e reformave tjera, ka deklaruar në Shkup, kreu i Parlamentit Evropian, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

"Ne e dimë se çështja do të ngritet para Këshillit Evropian në muajin maj. Samiti i Zagrebit dhe një seri takimesh do të vijojnë, kështu që ne jemi të përkushtuar për këtë proces, i cili shpresoj, si të gjithë të tjerët, të përfundojë në mënyrë pozitive”, ka theksuar Sassoli.

Sipas tij, shtetet anëtare të BE-së që kishin rezerva, janë në proces të rishqyrtimit të pozicionit të tyre. Hapja e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në nuk është një humbje, por një lloj ngërçi dhe tre shtetet anëtare që kanë rezerva, janë në një fazë të rishqyrtimit, tha presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.

“Vendimi që ishte miratuar nuk është një dështim apo humbje, por një lloj ngadalësimi. Ne jemi më të fortë sepse të gjitha institucionet evropiane janë të bindur se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë procesin e negociatave për anëtarësim me BE-së sepse i ka të plotësuar të gjithë kushtet që kjo të ndodhë. Unë gjithashtu besoj se kundërshtimet e ngritura nga të tri vendet mund të tejkalohen. Unë mendoj se për momentin disa qeveri janë në proces të ndryshimit të mendimit të tyre, d.m.th. ato janë duke shqyrtuar vendimet e tyre”, tha Sassoli.

Kryeministri Zoran Zaev tha se të gjithë liderët evropianë janë dakorduar që padrejtësia i ishte bërë Maqedonisë së Veriut dhe mohimi i negociatave me BE-në, ishte një gabim historik. Sipas tij, argumentet se Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE, do të jenë reformat kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

"Ne duhet të vazhdojmë, edhe më fuqishëm në sferën e reformave që të dëshmojmë se këtu funksionon shteti ligjor, se kemi rezultate në ekonomi, e kështu me radhë. Këto reforma në radhë të parë janë të nevojshme për vetë qytetarët”, është shprehur Zaev.

Kreu i qeverisë maqedonase edhe një herë ka theksuar qëndrimin që paralelisht me metodologjinë e re apo reformat brenda unionit, të rrjedhë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG