“Për ajrin e ndotur nuk ka zgjidhje magjike, andaj Qeveria e Maqedonisë synon ta zgjidhë këtë problem me një sërë masash dhe aktivitete, si dhe strategji afatgjate dhe të qëndrueshme”, ka thënë zëvendëskryeministri për Çështje të Integrimeve Evropiane, Bujar Osmani, në një konferencë të donatorëve. Ai prezantoi programin qeveritar për uljen e ndotjes së ajrit deri në 50 për qind, në dy vjetët e ardhshme.
Qeveria e Maqedonisë gjatë prezantimit të planit qeverisës ka kërkuar ndihmë financiare dhe teknike nga donatorët e ndryshëm ndërkombëtarë në luftën kundër ajrit të ndotur, pasi siç theksuan përfaqësuesit e Qeverisë, mjetet e siguruara nga buxheti, përkatësisht 98 milion denarë, nuk janë të mjaftueshme për të zbatuar këtë plan.
Zëvendësministri i Ambientit Jetësor, Jani Makraduli konsideron se zëvendësimi i sistemeve të vjetra jo-ekologjike për ngrohje, me sisteme të reja ekologjike, do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit, madje deri në 50 për qind.
Makraduli tha se do të synohet që përmes miratimi të një ligji të ndalohet përdorimi i qymyrit si lëndë për ngrohje.
“Rezultate të shpejta mund të sjellë zëvendësimi i mjeteve që përdorin amvisëritë për ngrohje gjatë sezonit të dimrit”, theksoi Makraduli.
Ai po ashtu tha se një pjesë e mjeteve nga donacionet e ndërkombëtareve do të shfrytëzohen për riparimin e stacioneve matëse për ndotjen e ajrit, të cilat nuk janë në funksion.
Përfaqësuesit e Qeverisë kanë theksuar “faktorët kryesorë që kontribuojnë në ndotjen e ajrit janë amvisëritë, përkatësisht lëndët djegëse që përdorin për ngrohje”.
Por, organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë përkujdesjen ndaj ambientit jetësor, konsiderojnë se masat e Qeverisë janë joefikase dhe pa efekt sepse nuk janë gjithëpërfshirëse dhe nuk veprohet njëkohësisht në më shumë dimensione.
Nga organizata joqeveritare “O2” e kanë kritikuar planin e Qeverisë, për shkak se siç kanë thënë, gjatë hartimit të njëjtit nuk janë bërë analiza të mjaftueshme, ndërkohë që kanë theksuar se në të nuk janë përcaktuar hapat konkret që duhet ndërmerren për çdo muaj. si dhe obligimet që merr përsipër t’i realizojë çdo institucion në veçanti.
“Duhet të ndërmerren masa konkrete që të bllokohen të gjitha burimet që kontribuojnë në ndotjen e ajrit. Ja ta marrim se zgjidhet problem i ndotjes së ajrit gjatë sezonit të ngrohjes nga amvisëritë, për shkak të shfrytëzimit të lëndëve djegëse me përmbajtje të dyshimtë sërish mbeten edhe burime të tjera që kontribuojnë në ndotjen e ajritm siç janë automjet dhe industria. Nevojiten masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që kontribuojnë në ndotjen e ajrit, njëherësh nevojiten kontrolle të përforcuara në teren”, thotë Nevena Georgievska nga organizata ekologjike “O2”.
Ndërkaq, Arjanit Xhaferi nga organizata ekologjike “Eco Guerila”, thotë se krahas masave që po ndërmerr Qeveria, inspektoratet duhet të shtrijnë veprimin e tyre në teren, duke bërë kontrolle intensive.
“Inspektoratet nuk funksionojnë me kapacitetin e duhur, nuk dalin në teren për t’i ndalur ndotësit e ajrit, përkatësisht për t’i gjobitur të gjithë ata që shkelin ligjin dhe ndotin ajrin, pavarësisht se ata tërë kohën i denoncojnë të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuojnë që të rritet niveli i ndotjes së ajrit”, thotë Xhaferi.
Ndërkaq, qyteti i Shkupit si masë për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit shqyrton mundësinë për shtrenjtimin e parkingjeve në kryeqendër gjatë ditëve kritike kur niveli i ndotjes është disa herë më i lartë se shifrat e lejuara dhe në vend të kësaj të ofrojë transport publik falas.
Ndryshe, gjatë kësaj fundjave sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tri qytete nga Maqedonia janë radhitur në listën e 10 qyteteve më të ndotura në Evropë.