Ndërlidhjet

Maqedonia do të marrë taksa për remitencat e diasporës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në bazë të ndryshimeve që parashihen në Ligjin për bankat, Drejtoria e të Ardhurave Publike në Maqedoni (DAP) do të ketë mundësi që në mënyrë elektronike të marrë të gjitha të dhënat e qytetarëve nga bankat, përkatësisht DAP-i, dhe në çdo kohë do të ketë qasje të lirë në transaksionet dhe depozitat e qytetarëve.

Në sqarimin e ligjit, i cili është në përgatitje e sipër, theksohet se “këto ndryshimet bëhen që të lehtësohet puna e DAP-it në përgatitjen e raporteve vjetore për tatime”.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se përmes ndryshimeve ligjore synohet që qytetarët të detyrohen të paguajnë tatim personal për mjetet që i kanë marrë nga të afërmit e tyre që gjenden jashtë vendit.

Goran Rafajllovski konsulent për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se është një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët punojnë për kompani të jashtme, duke u ofruar shërbime të ndryshme po nga Maqedonia, dhe këto mjete ata nuk i paraqesin në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

“Këto ndryshime bëhen për shkak se mjete e ardhura nga jashtë vendit, gjer më tani qytetarët nuk i kanë paraqitur në raportin vjetor për pagesën e tatimit në DAP. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të mjeteve financiare që qytetarët e Maqedonisë i sigurojnë përmes ‘autsource’ shërbimeve të ndryshme. Koha modern mundëson që nga Maqedonia të punoni për një kompani që është në një shtet krejtësisht tjetër”, thotë Goran Rafajllovski.

Nga ana tjetër, ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë Lube Tërpeski për Radion Evropa e Lirë vlerëson se me ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave, bëhet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në fshehtësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe me këtë, shton Tërpeski, humbet kuptimi i termit juridik ‘sekret bankar’.

Tërpeski thotë se në këtë formë, siç është propozuar ligji, do të ndikojë në uljen e rezervave devizore sepse siç thotë, do t’i detyrojë të gjithë mërgimtarët të cilët dërgojnë para shtesë për familjarët e tyre në Maqedoni, që këtë ta bëjnë me para të gatshme, për t`iu shmangur transferove bankare sepse në këtë mënyrë, të gjithë ata që marrin mjete nga jashtë do të duhet të paguajnë tatim.

“Shumë thjesht, në këtë formë mundësohet që Drejtoria e të Ardhurave Publike të ndërhyjë në privatësinë e llogarive bankare të qytetarëve. Unë nuk e di se një praktikë e tillë është në ndonjë vend tjetër të Evropës, që DAP të ketë qasje në këtë nivel, siç parashihet në llogaritë bankare”, thotë Tërpeski.

Ai shton se tani qytetarët do të kërkojnë mënyra alternative për t’u dërguar para të afërmeve të tyre, duke shmang transferet bankare.

“Në këtë formë, do të ulen rezervat devizore dhe qytetarët përmes kanaleve të ndryshme të afërmeve të tyre do t’u dërgojnë para për të shmangur kontrollet nga Drejtoria e të Ardhurave Publike”, nënvizon Tërpeski.

Por, ndryshe nga Tërpeski, eksperti i ekonomisë Alaudin Zeqiri për Radion Evropa e Lirë konsideron se ndryshimet ligjore do të kontribuojnë në disiplinën tatimore, dhe kjo shton ai, do të shmangë evazionin tatimor.

“Nëse e marrim si tërësi këtë çështje, me ndryshimet ligjore krijohet një situatë që do të shmangë evazionin tatimor. Që do të thotë krijon një sistem të ri për të pasur një saldo të harmonizuar të saldos financiare të çdo qytetari. Këto ndryshime ligjore si reformë mbase krijojnë kushte të që do të sjellin efekte pozitive për një situatë stabile financiare”, thotë Zeqiri.

Ndryshe, drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Sanja Lukarevska duke arsyetuar ndryshimet ligjore, i ka siguruar qytetarët se nuk ka fare hapësirë për keqpërdorim të të dhënave nga llogaritë bankare që i posedojnë, ngase siç ka thënë, “në mënyrë të përpiktë është definuar se cilat të dhëna bankat duhet t’i dorëzojnë te Drejtoria e të Ardhurave Publike”.

“Ajo në të cilën po punohet tashmë një vit, është që transferimi i të dhënave të automatizohet dhe jo të dorëzohen në letër, që është një proces i gjatë dhe i komplikuar për të gjitha palët. Këmbimi i automatizuar elektronik i të dhënave me bankat do të mundësojë një kërkim më efikas të DAP-it, kushte më të mira për qytetarët dhe njëkohësisht administrim më të mirë të tatimit personal”, ka thënë drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG