Mundësitë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO janë shumë më reale sesa në të kaluarën. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, në një tribunë kushtuar 4 prillit, ditës së Aleancës Veri-Atlantike.
“Çfarë do të thotë anëtarësimi në NATO për Maqedoninë dhe qytetarët e saj? Kjo do të thotë të jeni aleatë dhe jo partner, miq, fqinj me shtetet tjera anëtare. NATO-ja është Aleancë e bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës”, ka deklaruar ambasadori amerikan në tribunën kushtuar 69-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit.
Sipas Bailyt, niveli jo i kënaqshëm i sundimit të së drejtës e bënë shtetin të parezistueshëm ndaj korrupsionit, por edhe në paraqitjen e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa rikujtoi nevojën urgjente për zbatimin e reformave sistemore, por edhe të zbatimin e tyre në praktikë.
Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes, njëherësh zëvendëskryeministrja, Radmilla Sheqerinska, është shprehur e bindur se Maqedonia ka bërë hapa të mëdha drejt anëtarësimit në NATO dhe se pas ndërrimit të pushtetit kanë ndryshuar shumë gjëra, që sipas saj, argumentojnë qëndrimin se Maqedonia meriton të jetë pjesë e NATO-s.
“Gjatë dhjetë muajve të kaluar kemi dëshmuar se indi demokratik në Maqedoni nuk është zhdukur. Nëse lëshoni televizorin do të shihni se më nuk ka propagandë, por zë kritikë ndaj atyre që janë përgjegjës. Qeveria nuk i ikë diskutimeve dhe është shumë transparente në punën e saj. Sa i përket gjyqësorit, do të shihni se sfidat ekzistojnë, por se politikanët më nuk janë mbi ligjin, siç ka qenë në të kaluarën. Prandaj, ne kërkojmë mbështetjen e aleatëve tanë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO”, ka deklaruar Sheqerinska, por pa hyrë në detaje tjera që pengojnë procesin e anëtarësimit të vendit në këtë organizatë, siç është kontesti për çështjen e emrit me Greqinë.
Këtë zyrtarëve të Maqedonisë ia rikujtoi kreu i këshillit euro-atlantik botëror, Fabricio Luçioli.
“Anëtarësimi në NATO mund të përshpejtojë procesin e integrimit euroatlantik. Unë do t’i inkurajoja të gjithë aktorët që të zgjidhin kontestin e emrit, jo vetëm për aspektet e brendshme politike, pasi kjo është një çështje e prekë tërë bashkësinë euro-atlantike”, ka deklaruare Luçioli.
Edhe gjatë samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 ishte thënë se Maqedonia ka plotësuar kushtet, por problemi kryesor që pengon anëtarësimin e këtij shtetinë Aleancë mbetet çështja e emrit dhe se dyert e NATO-s do të hapen në momentin kur do të zgjidhet ky kontest.
Dy qeveritë, ajo e Maqedonisë dhe e Greqisë, po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e kontestit, por dallimet e thella nuk japin edhe shumë shpresë, pavarësisht optimizmit të theksuar pas takimit të fundit në Vjenë, të shefave të diplomacive të dy vendeve me ndërmjetësin e OKB-së, Matthew Nimetz.
Mediat greke gjithashtu kanë bërë të ditur për një vizitë të re të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, më 12 prill, për t’i dhënë një shtytje të re të procesit para publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, nga i cili Maqedonia pret rekomandim të pakushtëzuar për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.