Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë e hapur me vendet e rajonit


Kufiri me Maqedoninë e Veriut- Foto nga arkivi.
Kufiri me Maqedoninë e Veriut- Foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut nuk do t’i mbyllë kufijtë më Serbinë dhe Kosovën pasi Komisioni i Sëmundjeve Infektive nuk ka miratuar asnjë propozim për këtë çështje, edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar gjatë ditës së enjte.

Në mbledhjen e Komisionit ka pasur qëndrime të ndryshme mes anëtarëve të tij dhe madje sipas informatave jozyrtare, disa anëtarë propozimin për të hapur debat për këtë çështje e kanë cilësuar më tepër si të motivuar politikisht.

Se nuk do të ketë mbyllje të kufijve, e konfirmoi edhe kryeministri Oliver Spasovski pas mbledhjes së Shtabit Qendror të Krizës, i cili diskuton vendimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, para se të merret vendimi final në qeveri.

“Derisa nuk kemi vendim të ri, kjo nënkupton se në fuqi mbetet vendimi i deritanishëm…Komisioni për Sëmundje Infektive mbledh informacione dhe diskuton për të gjitha problemet, përfshirë edhe këtë që vlerësoi se nuk është çështje politike, prandaj qeveria nuk mund të sjellë vendime politike për çështje të këtilla”, ka deklaruar kryeministri Spasovski, duke theksuar se vendimet kanë për bazë mendimet e ekspertëve dhe jo të faktorëve të tjerë politikë.

Sipas tij, për momentin nuk ka nevojë që të diskutohet për kufijtë.

“Të gjitha vendimet që i marrim, janë të bazuara në vlerësimet e epidemiologëve dhe institucioneve tjera shëndetësore. Për këtë çështje mund të diskutojmë vetëm nëse vlerësojmë se do të kishte nevojë për diçka të tillë”, ka deklaruar Spasovski.

Nga Komisioni kanë thënë se do të presin informacione plotësuese dhe do të ndjekin zhvillimet lidhur me pandeminë në disa ditët e ardhshme që më pas të shqyrtohen rrethanat eventuale.

Maqedonia e Veriut, gjatë muajit qershor ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve dhe të viktimave nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19. Nga 6,625 të infektuar, vetëm në qershor janë regjistruar më humb se 4 mijë raste, ndërsa nga 321 viktima, afër 180 kanë ndërruar jetë pikërisht në qershor.

Qendra Evropiane për Kontroll të Sëmundjes në një analizë mbi pandeminë e ka radhitur Maqedoninë e Veriut të dytën në Evropë sa i përket incidencës së të infektuarve në periudhën prej 16 deri 30 qershor.

Me 99.5 të infektuar në 100.000 banorë, Maqedonia e Veriut radhitet pas Suedisë me 149.4 të infektuar, ndërsa sipas të dhënave, Kosova pozicionohet më mirë apo me 66.2 të infektuar në 100 mijë banorë.

Qendra Evropiane për Kontroll të Sëmundjes gjithashtu ka dalë me disa propozime për përballje me pandeminë, si hartimin e një kornize të fortë të monitorimit, strategji të zgjeruar të testimit që synon testimin gjithëpërfshirës të të gjithë individëve që shfaqin simptoma të COVID-19, kornizë për gjurmimin e kontakteve, identifikimin e shpejtë dhe hetimin e vatrave të epidemisë, zbatimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të masave jofarmaceutike si distancë fizike, maskë dhe higjienë e duarve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG