Ndërlidhjet

Presidentja maqedonase shkarkon Musliun nga drejtimi i Agjencisë së Zbulimit


Ish-shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu. Fotografi nga arkivi.
Ish-shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka shkarkuar Erolld Musliun nga posti i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, i cili ishte duke shërbyer në mandatin e dytë.

Në vend të Musliut është emëruar Gabriela Jakovleva, e cila, sipas njoftimit të Presidencës maqedonase, vjen nga radhët e agjencisë.

“Është e qartë se presidentja u dorëzua para presionit të partisë”, u përgjigj ish-shefi i inteligjencës maqedonase, Erolld Musliu, përmes një reagimi.

Ai tha se është i zhgënjyer me vendimin, duke shtuar se në rastin e shkarkimit të tij nuk ka asnjë justifikim ligjor e as sistem meritë, për të cilat sipas tij Silanovska-Davkova flet vazhdimisht publikisht.

“Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për t’u takuar në një takim njoftimi për t’i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon. Detyrën e drejtorit të agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare”, tha ai.

Në njoftimin e Presidencës maqedonase nuk u dhanë detaje për arsyen e shkarkimit të Musliut.

Ai u emërua për mandat të dytë për të udhëhequr agjencinë më 19 maj 2023 nga ish-presidenti, Stevo Pendarovski, dhe kishte mandat deri më 2027.

Sipas ligjit për Agjencinë e Zbulimit, drejtori emërohet apo shkarkohet nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Baza për shkarkimin e drejtorit para përfundimit të mandatit janë nëse ai nuk vepron në përputhje me ligjin, nëse ai performon funksionet e tij në mënyrë joprofesionale dhe neglizhuese, apo nëse ai nuk përmbush ndonjë prej këtyre kushteve”, thuhet në ligjin që rregullon punën e Agjencisë së Zbulimit.

Presidentja maqedonase më 28 qershor ka shkarkuar edhe zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë së Zbulimit, Aleksandra Bakreska-Dodovka, dhe në vend të saj ka emëruar Ivana Stojanovskan. As për këtë vendim nuk janë dhënë detaje nga Presidenca.

“Presidentja Silanovska-Davkova ndërmori këto vendime në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e zyrës së saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG